“Me Josën, Vllaznia do të ndryshojë komplet”, presidenti Xhaferi: Mireli më i suksesshmi, të fitojmë Kupën

Alban Xhaferi tregoi dje arsyet pse bëri një lëvizje befasuese në stolin e Vllaznisë dy javë nga mbyllja e kampionatit. Në konferencën e prezantimit të trajnerit Mirel Josa, presidenti i Vllaznisë foli me shumë optimizëm për atë që e pret skuadrën me 58-vjeçarin në krye të pankinës.

Josa Xhaferi

Ai është i bindur se situata do të ndryshojë komplet, ndërsa Josa është marrë me një plan afatgjatë, teksa do të ndërtojë ekipin e sezonit të ardhshëm. Xhaferi theksoi se pret të fitojë Kupën, ndërsa e konsideron dështim total nëse klubi nuk merr pjesë në Europë.

Alban, së pari pse e bëtë këtë lëvizje në stol tani që sezoni po shkon drejt përfundimit?

Sigurisht që ishte një moment i vështirë për të bërë një ndryshim të tillë, pasi ishte jashtë parashikimeve apo planeve tona. Unë jam gjithmonë me idenë se duhet të besojmë shumë te trajnerët, duke u dhënë kohën e duhur gjithsecilit për të bërë punën më të mirë. Unë nuk jam person që i pëlqej shumë ndryshimet, por dua të kem vetëbesim dhe t’i lë trajnerët të punojnë në qetësinë e tyre. Mirëpo, mendoj se ishim në kushte jonormale dhe prandaj bëmë një zgjidhje të tillë.

Besoni se Mirel Josa mund të bëjë ndryshimin e pritur në klub?

Kemi afruar një trajner si Mirel Josa, i cili ka një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe është një nga më të suksesshmit e kampionatit shqiptar. Ndryshimi në stol u bë për të rritur sadopak entuziazmin në skuadër pas rezultateve të fundit, të cilat kanë qenë larg pritshmërive tona.

Sigurisht, rënia nga vendi i tretë në të pestin e vështirëson shumë arritjen e objektivit tonë për të kapur Europën përmes kampionatit. Ardhja e Josës është për të nisur përgatitjet për sezonin 2022-2023 që tani, duke ndërhyrë në merkato për të ndërtuar një Vllazni të re dhe sa më kompetitive.

Arsyeja kryesore është për të menduar që tani për sezonin e ri?

Këto janë arsyet kryesore që kemi marrë këtë vendim në këtë moment. Me këtë rast i uroj shumë suksese profesorit. Është kënaqësi e veçantë që Josa rikthehet në Shkodër dhe jam optimist se me të në krye do ta arrijmë objektivat. Mireli ka besimin tim të plotë, bashkë me klubin.

Do ta mbështesim trajnerin maksimalisht për të arritur synimet që kemi si klub. Profesori e njeh Vllazninë shumë mirë, madje ai është pjesë e klubit edhe më tepër vite sesa unë, pasi e ka drejtuar në të kaluarën rreth tri vite. Mendoj se kemi bërë një zgjidhje optimale dhe shpresoj që të finalizojmë këtë sezon me marrjen e Kupës e më pas të përgatitemi sa më mirë për sezonin e ri.

Elvis Plori do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit në një tjetër detyrë?

Së pari, unë dua të falënderoj publikisht Plorin për gjithë punën që ka bërë te Vllaznia këto dy vite. Ai nuk ka qenë trajner vetëm për një muaj, por për dy sezone ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Ka merita të veçanta për ndërtimin e Vllaznisë dhe do ta cilësoja si një investim të klubit, prandaj dhe nuk dua ta humbim.

Kam folur me Plorin dhe mendoj se ai do të jetë pjesë e klubit në sektorin teknik, por gjithsesi më specifikisht për pozicionin do të flasim në vijim. Pas largimit të Brdariçit ka bërë një përpjekje të madhe për të ndryshuar situatën dhe marrë rezultatet që ne prisnim.

Gabime kemi të gjithë, ashtu si dhe Plori, por do të mësojmë nga ato. Faktikisht rezultatet nuk ishin ato që ne prisnim dhe për t’i dhënë një qasje të re ekipit dhe shtuar entuziazmin, bëmë këtë arsyetim. Ardhja e Josës do të thotë një ndryshim komplet te Vllaznia.

Si e shikoni Vllazninë e sezonit të ardhshëm dhe cilat janë garancitë që i keni dhënë trajnerit të ri për t’i plotësuar kërkesat që ka?

Klubi ka filluar punën për sezonin e ri prej kohësh. Kemi studiuar disa lojtarë dhe synimi ynë është që të mbajmë grupin aktual. Bëhet fjalë për futbollistë të cilët i kemi nën kontratë edhe për sezonin tjetër. Kemi edhe një grup lojtarësh që u përfundon kontrata dhe një pjesë e tyre mund të largohen. Jemi në fazë negociatash.

Gjithsesi, mund të them se kemi mësuar shumë prej gabimeve të këtij sezoni dhe ndoshta shpenzimeve të tepërta që kemi bërë në disa pozicione, që nuk ishin efikase për ekipin. Unë do të mbështetem te stafi teknik me Josën në krye për të ndërtuar Vllazninë e ardhshme. Do të mundohem t’i jap suportin maksimal çdo kërkese që do të kenë.

Me Josën në këto dy ndeshje që kanë mbetur dhe finalen e Kupës, jeni të bindur që e kapni Europën?

Ne gjithmonë besojmë, prandaj jemi këtu. Është një proces edhe më i vështirë, por do të luftojmë deri në fund për të kapur Europën, pasi është një objektiv shumë i rëndësishëm për klubin.

Nëse nuk ia dilni, çfarë do të thotë?

Sigurisht që do të ishte dështim i sezonit. Faktikisht ne e kemi një gjysmë dështimi, pasi objektivi i parë ishte titulli kampion dhe nuk ia dolëm. Pjesëmarrja në Europë është një frymëmarrje për të gjitha klubet shqiptare sa u përket financave. Mosarritja e këtij objektivi sigurisht na dëmton financiarisht, por unë i kam marrë parasysh këto dhe do të vazhdoj të mbështes klubin në rolin e presidentit. Vllaznia do të ketë objektiva të qartë për sezonin e ri, sigurisht për vendet e para.

Kushti që i keni vendosur Josës është titulli në sezonin tjetër?

Shikoni, unë kam pasur një bisedë shumë të sinqertë me profesorin. Jam shumë i kënaqur me diskutimin e çiltër dhe të pastër që kemi bërë. Josa është një emër i madh dhe unë kam besimin e plotë që së bashku do të arrijmë në nivele shumë të mira.

ADMIR URUÇI – Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×