Jared Kushner, dhëndri i presidentit të SHBA, Donald Trump ka treguar detaje interesante lidhur me projektin që ai pritet të zbatojë në ishullin e Sazanit. Në fjalim online në forumin ekonomik ndërkombëtar të titulluar “Future Investment Initiative Europe” që po zhvillohet në Tiranë, Kusher foli për resortin turistik me vlerë 1.4 miliardë dollarë. Resorti në ishullin e Sazanit konsiderohet si ndër më luksozët në rajon dhe Mesdhe.
Pyetje: Kush do të jenë blerësit? Kush do të jenë vizitorët? Si shpresoni t’i tërhiqni?
Jared Kushner: E vetmja që e di me siguri është vetja ime, gruaja dhe familja ime. Pra, po e dizajnojmë këtë vend në mënyrë që të jetë një vend ku ne do të donim të kalonim verën. Dhe sa herë ua tregoj miqve tanë, ata më thonë: “Duam edhe ne një vend aty pranë”. Po tërheqim disa nga markat më të njohura në botë që duan të bëhen pjesë e kësaj. Dhe mendoj se do të jetë e jashtëzakonshme. Pra, po e dizajnojmë si vendi ku ne vetë do të donim të kalonim verën, dhe nëse e realizojmë mirë, besoj se edhe shumë familje të tjera do të duan të kenë një shtëpi aty ose ta vizitojnë shpesh.
Pyetje: Kur e nisët “Affinity Partners”, nuk mendoj se pasuritë e paluajtshme ishin pjesë e strategjisë tuaj. Si ndodhi që vendosët të bëni këtë ndryshim? Na tregoni edhe për investime të tjera që po konsideroni në Europë. Çfarë mundësish shihni në këtë pjesë të botës?
Jared Kushner: Kur isha në sektorin e pasurive të paluajtshme, gjithmonë më tërhiqnin tregjet që ishin të nënvlerësuara, por kishin të gjithë elementët e duhur. Në Nju Jork, isha në SoHo para se të bëhej shumë i njohur. Në Brooklyn para se të bëhej trend. Dhe në Jersey City para se të bëhej interesant. Të gjitha këto kishin të njëjtën gjë me Shqipërinë – themeli i duhur, por njerëzit nuk e kuptonin ende. Ndihesha sikur ishim dhjetë vjet përpara trendit. Po ashtu, përmasa, shkalla e mundësive dhe elementi qeveritar që ndihmon zhvillimin. Kemi pasur shumë sukses në Europë. Nuk kemi bërë shumë, por kemi investuar në një kompani në Gjermani që tani ka dyfishuar vlerën. Rritja e tyre ka qenë e jashtëzakonshme. Po ashtu kemi investuar në Revolut, që është ndoshta platforma më e mirë e teknologjisë financiare që është ndërtuar ndonjëherë. Po rritet me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe jemi shumë krenarë për këtë.
Pyetje: A ka ndryshuar strategjia juaj e investimeve që kur vjehrri juaj, Presidenti Trump, mori detyrën? Dhe nëse po, si dhe çfarë shihni në strategjinë tuaj për tregje të tjera të hapura?
Jared Kushner: Vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë. Kemi investuar tashmë rreth 2.5 miliardë dollarë. Më shumë se gjysma është në SHBA. Kemi disa investime ndërkombëtare, ku mendojmë se tregjet dhe mundësitë janë të çmueshme gabimisht. Po shoh diçka edhe nga një interes personal. Nuk e di nëse do të kualifikohet për fondin, por kam ndihmuar shumë Steven për të promovuar Marrëveshjet e Abrahamit – për të siguruar që ekzistueset të funksionojnë dhe për të gjetur mundësi të reja.
()