
Mario, i ati i Beatriçe Gjergjit, e cila së bashku me Kolë Lacën na përfaqësoi me “Zjerm” në Eurovision, ka folur në një intervistë për emisionin “Në Shqipëri”.
Mario u shpreh se po përjeton emocione të forta dhe së bashku me të shoqen, kanë 2 muaj që nuk flenë.
“Janë disa emocione të forta. Kemi rreth dy muaj, që unë dhe gruaja ime nuk flemë. Mundohemi të sjellim më të mirën e mundshme për vendin tonë”, tha ai në intervistën virtuale.
Më tej, Mario, me krenari, shtoi se kënga “Zjerm” ka dalë nga vetë shpirti i Beas:
“Kënga “Zjerm” ka dalë nga shpirti i saj. Janë të gjitha fjalë shpirti. Për mua, kjo këngë është si të jetë pjesë e trupit. Gjithkund më shoqëron. Jam habitur që kjo këngë ka kënaqur dhe popujt e botës. Kjo është një këngë ku Kola dhe Beatriçe, kanë bërë një miks të jashtëzakonshëm. Kanë gjetur një gjuhë dhe dashuri për vendin e vet. Vajza ime dhe Kola, të rinjtë i kanë futur në një dashuri të madhe për kombin”.
I ati i Beatriçes foli edhe për natyrën e thjeshtë të së bijës, duke treguar se ajo ka miqësi me të gjitha grupet e Eurovision-it:
“Beatriçja ka një natyrë që është njeri i thjeshtë, atë që ka e shpreh’ me thjeshtësinë e saj. Ajo ka shoqëri me të gjitha grupet e Eurovision-it”.
Ai ceku edhe frikën që ka pasur se mos Bea, e rritur në Itali, i largohej identitetit të saj kulturor, duke thënë se fillimisht, Beatriçes nuk i pëlqente shumë muzika shqiptare.
“(Është) e rritur me këngë shkodrane, ia injektoja sa më shumë, por nuk i pëlqente shumë muzika jonë… Kishte një zë të bukur, por më dukej sikur po më dilte ‘nga shinat’”.