
Harry Styles vazhdon të dëshmojë se suksesi nuk i përket vetëm muzikës, por edhe llogarive bankare. Sipas dokumenteve të reja financiare të dorëzuara për kompaninë e tij Erskine Touring, ish-anëtari i One Direction ka fituar plot 872 mijë paund në javë gjatë periudhës janar 2023 – mars 2024. Kjo do të thotë rreth 125 mijë paund në ditë.
Në total, llogaritë e tij tani mbajnë 143 milionë paund, duke e renditur Styles mes më të pasurve në listën prestigjioze The Sunday Times Rich List, ku ai qëndron në vendin e katërt ndër personazhet publikë nën moshën 40 vjeç, me një pasuri të vlerësuar në 225 milionë paund.
Pjesa më e madhe e të ardhurave të Harry-t vjen nga suksesi i albumit të tij “Harry’s House” dhe turneu madhështor që rezultoi i shitur plotësisht. Vetëm nga koncertet, ai ka arkëtuar 75.2 milionë paund, ndërsa 10.8 milionë të tjera nga shitja e suvenireve dhe artikujve promovues. Fitimi neto? Plot 52.3 milionë paund.
Megjithatë, pavarësisht këtij suksesi të jashtëzakonshëm, Harry mbetet 145 milionë paund pas Ed Sheeran, i cili ka një pasuri prej 370 milionë paund dhe mban vendin e dytë në listë. Në krye të saj qëndron ish-ylli i “Made in Chelsea”, Georgia Toffolo, me një pasuri të pabesueshme prej 425 milionë paund.
Përveç muzikës, Harry Styles njihet edhe për investimet në pasuri të paluajtshme – ai zotëron prona në Londër, Kaliforni dhe New York, si dhe një koleksion makinash luksoze. Gjithashtu, ai është një adhurues i artit dhe në vitin 2023 u portretizua nga vetë David Hockney. Në koleksionin e tij përfshihen edhe vepra me frymëzim nga Andy Warhol dhe një portret i Kate Moss.