Pas humbjes 0-3 ndaj Orlandos në MLS, sulmuesi i Inter Miamit, Lionel Messi nuk hezitoi të kritikonte arbitrimin.
“Mendoj se patëm një pjesë të parë të shkëlqyer. Ne sulmuam, krijuam raste, ata u mbrojtën dhe e larguan topin. Dhe nga një veprim i çuditshëm erdhi goli: një nga lojtarët e tyre ia kaloi topin portierit dhe gjyqtari më tha se nuk e dinte rregullin, se nuk dukej i saktë, se nuk e kuptonte…
Portieri e hodhi përsëri topin dhe ata shënuan. Mendoj se është koha të flasim për nivelin e gjyqtarëve në MLS. E vërteta është se humbja e një ndeshjeje tjetër dhemb. Po vinim pas një serie rezultatesh negative, por duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të mendojmë për të ardhmen. Na kanë mbetur edhe tre ose katër ndeshje për ta mbyllur muajin në mënyrën më të mirë të mundshme para fillimit të Kupës së Botës për Klube. Tani do të shohim vërtet nëse jemi një ekip, në momente të vështira, sepse kur gjithçka shkon mirë është shumë e lehtë, por kur vijnë momente të vështira si kjo, atëherë duhet të jemi më të bashkuar se kurrë, të jemi një ekip i vërtetë. Mendoj se kemi atë që duhet, kështu që le të fillojmë përgatitjet për ndeshjen kundër Filadelfias”, tha Mesi.