Të mbërthyer nga “ethet” e garës për titull në Serie A, ku gjithçka të do të vendoset të premten, dhe pa diskutim me mëndje dhe zemër nga finalja e Champions League më 31 maj, për të trazuar sa do pak ambientin në shtëpinë e Interit mendojnë sheikët saudit. Al Hilal as që ka ndërmend të tërhiqet nga gara për të siguruar shërbimet e Simone Inzaghit, jo vetëm kaq, por kanë trokitur me një ofertë konkrete.
Sipas mediave saudite, Al Hilal është gati t’i ofrojë Inzaghit 20 milionë euro në sezon, një shifër që shkon përtej logjikës. Ekipi nga Arabia Saudite kërkon që Inzaghi të jetë trajneri i tyre që në Botërorin për Klube, madje sipas mediave lokale disa përfaqësues të trajnerit kanë fluturuar në Riad për t’u njohur nga pranë me këtë ofertë.
Sigurisht në të tilla raste, oferta me këto shifra, mund të mos jenë kaq reale, por fakt është se sheiku i Al Hilal, presidenti i klubit saudit, është i fiksuar pas idesë për të pasur në stol trajnerin e Interit.
Pavarësisht presionit të lartë dhe ofertës së jashtëzakonshme ekonomike, Inzaghi dhe përfaqësuesit e tij po përpiqen t’i qëndrojnë larg këtij diskutimi, të paktën për momentin, pasi e gjithë vëmendja është në këtë fund sezoni, ku Inter është ende në valle për dy trofe.
()