Në Serie A do të luhen 90 minutat e fundit, jetike për klube si Napoli dhe Juve, me blutë që synojnë titullin, ndërsa “Zonja e Vjetër” të sigurojë një biletë për në Champions League. Përtej fushës, dy klubet po punojnë prej kohësh edhe jashtë sajë për të programuar sezonin e ri.
Rrugët e dy klubeve mund të bashkohet sërish gjatë merkatos së verës, pasi sipas mediave italiane, Conte mund të largohet në fund të këtij sezoni, me ose pa titullin në xhep. Aurelio De Laurentiis, bosi i Napolit, nuk kërkon të kapet i pa përgatitur, për këtë arsye ka zhvilluar një takim kokë më kokë me Max Allegrin disa ditë më parë në kryeqytet, në Romë. Allegri është një emër që De Laurentiis e ndjek prej kohësh, tentoi ta bindë edhe në verën e vitit 2021, përpara se të firmoste me Luciano Spallettin. Nuk ka asnjë dyshim që Allegri është profili që presidenti i Napolit ka zgjedhur në rast se Conte do të largohet.

Gjithnjë sipas mediave italiane, Conte po planifikon një rikthim të bujshëm në Torino, në krye të Juves, pavarësisht se është nën kontratë me Napolin deri në 2027. Për herë të fundit, Conte drejtonte Juven përpara 11 vitesh.
Jo vetëm çështja e trajnerit të ri, në shtëpinë e “Zonjës së Vjetër”, janë të fokusuar edhe në gjetjen e një sulmuesi të ri. Vlahovic ka një kontratë deri në 2026, por nuk do t’i ofrohet rinovimi, ndërsa Kolo Muani do të rikthehet te PSG. Objektivi kryesor për këtë post është Victor Osimhen, i cili ka dhënë pëlqimin e tij për një transferim në Torino. Juve është e gatshme të investojë deri në 85 milionë euro për kartonin e tij, plus 10 milionë euro pagë sezonale.
()