Tirana përfundoi një sezon zhgënjyes, me 26 herë kampionët e vendit që u renditën vetëm në vendin e 8 pas 36 javëve dhe me finalen e play out të fituar ndaj Pogradecit që shmangu dramën për bardheblutë, atë të zbritjes për herë të dytë nga kategoria.
Megjithatë qëndrimi në Superiore nuk mund të kënaq kurrsesi klubin më të titulluar në vend, që sipas asaj që bën me dije e përditshmja sportive më e madhe në vend “Panorama Sport”, ka nisur menjëherë nga puna, për rindërtimin e skuadrës në kuadër të nisjes së sezonit të ri.

Përpos ndryshimeve të shumta që pritet të ketë në ekip tek bardheblutë, ajo që ngjall më shumë interes në këto momente është fakti se cili do të jetë njeiru që do të ulet në stol për të drejtuar Tiranën. Sipas Panorama Sport dy janë aktualisht emrat më të lakuar Orges Shehi dhe Shpëtim Duron. Për Duron për të cilin është përfolur edhe në të kaluarën kalimi i tij tek Tirana, kjo do të ishte një lëvizje e bujshme, me teknikun e njohur që e ka kaluar thuajse të gjithë karrierën e tij pranë klubit të Partizanit.
Në krahun tjetër Orges Shehi nuk është më një emër i panjohur për kampin bardheblu, kjo pasi tekniku durrsak ka drejtuar më herët 26 herë kampionët, në sezonet 2020-2022 duke i sjellë klubit madje edhe dy trofe. Shehi është aktualisht trajneri I Ballkanit, por duket se Aventura e tij në Kosovë do të përfundojë shumë shpejt. Bashkë me Shehin tek Tirana mund të rikthehej në postin e Drejtorit Sportiv edhe Tefik Osmani, i cili sapo mbylli aventurën tek Vllaznia.