Shqipëri-Serbi është më shumë se sa një sfidë futbolli, pavarësisht se palët e përfshira, dy federatat, përpiqen ta zbusin, pasi nuk dëshirojnë që historia të përsëritet, për më tepër që të dy federatat do të organizojnë së bashku “Euro2027” për U-21. Pavarësisht këtij fakti, në aspektin sportiv dhe jo vetëm, Shqipëri-Serbi është një ndeshje që të dy ekipet përfaqësuese, të dy shtetet, kërkojnë ta fitojnë.
Pak ditë pasi mori pjesë në samitin e Tiranës, ku u ul në tryezë me liderët e Europës dhe u prit nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, zgjodhi një tjetër skenë për t’i dhënë një “urdhër” simbolik trajnerit të kombëtares serbe, Dragan Stojkoviç, që ta mundë Shqipërinë në ndeshjen e 7 qershorit. Në një tubim elektoral, Vuçiç falënderoi publikisht trajnerin e kombëtares serbe të futbollit, Stojkoviç, për mbështetjen e tij të hapur politike. Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte një deklaratë me tone të ashpra sportive, që në thelb mbante një ngarkesë politike:
“E pashë pak më parë dhe tani e shoh që është këtu, ju lutem duartrokitni fort trajnerin serb Dragan Stojkoviç, një legjendë e Nishit, i cili nuk u fsheh si shumë të tjerë dhe erdhi të jetë me ne këtu. Në qershor luani atje kundër Shqipërisë, për t’i mposhtur ata!”, u shpreh Vuçiç.
Deklarata e Presidentit vjen pikërisht në prag të ndeshjes Shqipëri-Serbi, që do të zhvillohet më 7 qershor.
()