
Mbrëmjen e sotme është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare një nga ikonat më të mëdha të artit shqiptar, regjisori Piro Milkani. Lajmin e ka bërë të ditur i biri, Eno Milkani, përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale:
“Iku babai, shoku dhe kolegu im”, shkroi ai, duke i dhënë lamtumirën një figure që shënoi historinë e ekranit shqiptar.
Piro Milkani, i lindur më 5 janar 1939 në Drenovë të Korçës, ishte një nga themeluesit e kinemasë shqiptare dhe autor i disa prej filmave më të dashur për publikun – “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Zonja nga qyteti”, “Çifti i lumtur” e shumë të tjerë që sot konsiderohen trashëgimi e çmuar kulturore.
Përtej kamerës, Milkani ishte edhe një mentor i palodhur për gjenerata të tëra kineastësh, duke lënë gjurmë të thella edhe në fushën e arsimit artistik.
Humbja e tij nuk është vetëm fundi i një jete të gjatë e të nderuar, por edhe një çast reflektimi për gjithçka ai i dha artit, kulturës dhe kujtesës sonë kolektive.
Sot, kinemaja shqiptare mban zi për një nga etërit e saj.