Zyrtarizimi do të vijë të hënën, por që nga dje Cristian Chivu është në fakt trajneri i ri i Interit me të gjitha të drejtat.
Nga Parma, ku në fillim të javës do të shkojë për të zgjidhur kontratën ekzistuese me klubin emilian, foli dje presidenti i Interit, Beppe Marotta, duke shpjeguar arsyen e zgjedhjes për pasuesin e Inzaghit: një vendim “i guximshëm”, po, por në frymën e vazhdimësisë, në përputhje me strategjitë e zhvillimit që – sipas fjalëve të drejtuesit zikaltër – nuk përfshijnë fjalën “tkurrje” apo “reduktim”.
Nga deklaratat do të duhet të kalohet te faktet, domethënë te merkatoja, për të qetësuar botën interiste. Por, duke thënë këtë, le të kthehemi te Chivu: të hënën ai do të nënshkruajë kontratën dyvjeçare me Interin (me një pagë që pritet të jetë rreth 2.5 milionë euro në sezon), pas së cilës në Appiano Gentile do të nisë punën me lojtarët që nuk janë thirrur nga përfaqësueset e tyre kombëtare. Këta të fundit do të kthehen në Pinetina mes të martës dhe të mërkurës, ditë e caktuar për nisjen drejt Shteteve të Bashkuara në kuadër të Kupës së Botës për Klube.
Shtabi që do të shoqërojë Chivun është pothuajse i plotësuar, me përjashtim të një elementi.
Në krah të trajnerit të ri zikaltër do të jetë Angelo Palombo (ish-lojtar i Sampdorias dhe për një periudhë të shkurtër edhe i Interit), do të qëndrojë Mario Cecchi, ish-analist taktik i Inzaghit, që do të shërbejë si një urë lidhëse mes të kaluarës dhe të tashmes, dhe gjithashtu do të vazhdojë Gianluca Spinelli si përgatitës i portierëve.
Për përgatitjen fizike do të rikthehet Stefano Rapetti, që ka qenë më parë pjesë e stafit të Mourinhos te Interi, si dhe te Roma dhe Fenerbahçe: ai duhet vetëm të shkëpusë zyrtarisht marrëdhënien me klubin turk.
Ndërkohë, ende nuk është përcaktuar “zëvendësi” i Chivut. Në këto orë po bëhen vlerësime në këtë drejtim, pasi Antonio Gagliardi me shumë gjasa nuk do ta ndjekë Chivun te Interi.