
Gjiko është shpallur i pafajshëm nga akuzat për përdhunimin e një të miture. Çështja ndaj tij u hap në vitin 2022 dhe reperi akuzohej se në vitin 2015 kishte mashtruar dhe abuzuar seksualisht një 15-vjeçare.
Ditën e hënë, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpallur reperin të lirë nga akuzat për veprën penale të dhunimit dhe armëmbajtjes pa leje. Vendimi është bërë i ditur nga avokati i tij, Kujtim Kërveshi, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Përveç komunikimit të vendimit, Kërveshi thekson se Gjiko “hyri dhe doli i pafajshëm” nga ky proces. Ai nuk jep informacione të mëtejshme mbi çështjen për shkak se ka qenë gjykim i mbyllur.
“Për të gjitha palët e interesuara,
Në cilësinë e mbrojtësit të z Asdren Gjikolli, Gjiko, njoftoj gjitha palët e interesuara se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, ka liruar sot nga akuza Z. Gjikolli, dy nga pikat e aktakuzës kanë arritur parashkrimim absolut, ndërsa për veprat penale, dhunimin dhe armëmbajtjen pa leje është liruar nga akuza.
Asdren Gjikolli, Gjiko, gjatë procesit të mbyllur gjyqësor është përballur me një situatë të paqenë, me të cilën është përballur me kokën lart dhe me pastërtinë e tij të plotë para çdo situate.
Gjykata ka qenë maksimalisht e kujdeshme në vlerësimin e çështjes dhe ka sjellë një aktgjykim meritor që jemi të bindur se do ta përballojë çdo ankimim në gjykimin e kësaj çështjeje në shkallë të tjera të gjyqësorit!
Duke qenë se gjykimi ka qenë i mbyllur, rezervohem të jap çfarëdo informacioni që diskrediton detyrën e avokatit apo sistemin tonë të drejtësisë meqë gjykimi ka qenë i mbyllur!
Ashtu siç kam deklaruar nga fillimi, Gjiko ka hyrë i pafajshëm dhe doli i pafajshëm dhe i pastër si loti!”, përfundon ai duke falënderuar ekipin e avokatëve.
Pas avokatit, ka reaguar edhe bashkëshortja e reperit, moderatorja e njohur Elita Rudi. Në shkrimin e saj, ajo thotë se “mbyllet një plagë”. Elita shprehet se e ka ditur gjithnjë që Gjiko ishte i pafajshëm dhe tani janë gati për një rrugë të re plot dritë.
“Sot mbyllet një plagë që na dhembi, por kurrë nuk na ndau. Sot u vërtetua ajo që zemra ime e ka ditur gjithmonë: ti je i pafajshëm. I kemi duruar fjalët, akuzat, dyshimet… por asnjëherë s’u dorëzuam. Më kujtohet si sot kur me the: ‘Nëse ti je me mua, s’ka rëndësi kush është kundër, veç të kem ty mjafton.’ Ti kurrë s’e ule kokën, punove më shumë se kurrë, e kur unë dobësohesha, forca jote më ngriti. Sot qaj nga gëzimi që e vërteta u tha. Përpara kemi veç dritë bashkë, më të fortë se kurrë.”