Lionel Messi nuk njeh as moshë e as limite, me legjendën argjentinas që dhuroi spektakël në ndeshjen e dytë në Botërorin e Klubeve. Kryevepra e tij ndaj Portos po bën xhiron në rrjet, por “pleshti” dribloi atë ekzekutim fantastik duke i dhënë peshë suksesit që ekipi i tij Inter Miami arriti kundër një ekipi evropian dhe me shumë eksperiencë si Porto:
“Është një ndjesi shumë e bukur. Skuadra u impenjua shumë, mbrojtëm mirë, por edhe sulmuam. Jam shumë i lumtur për skuadrën, shkoi shumë herë më mirë se sa ndeshja e parë. Në pjesën e parë hasëm vështirësi, i dhuruam edhe një penallti, por arritëm të përmbysim ndeshjen. Kjo është një fitore shumë e rëndësishme për ne”, u shpreh Messi.
Me katër pikë në dy ndeshje, në sfidën e fundit të fazës së grupeve, Inter Miami mjafton të mos humbas. Kjo do të jetë një ndeshje e veçantë për Messin, pasi të martën mbush 38 vjeç, pikërisht në ditën kur do të përballen me Palmeiras:
“Vërtetuam se jemi një ekip konkurrues, një skuadër e mirë kundër një ekipi si Porto. Sigurisht ne jemi inferiorë në raport me ekipet e tjera evropiane, por treguam se jemi të zot. Kundër Palmeiras do të jetë e vështirë”, shtoi Messi në reagimin e tij për DAZN.
()