Saga e huazimeve për Armando Brojën nuk ka fund, por këtë verë, mund të marrë një kthesë të fortë, ose më saktë mund të rikthehet sërish në pikën zero, aty ku nisi, nga Holanda. Si një premtim i madh, një lojtar i dalë nga akademia, Chelsea e huazoi fillimisht Brojën në Eredivise, në radhët e Vitesses ku spikati me paraqitjet e tij. Këtë herë diskutimi është ndryshe, pasi Chelsea kërkon të përdor kartonin e tij për të arritur tek një objektivi i tyre në këtë merkato vere, Jorrel Hato.
Talenti 19-vjeçar i Ajax konsiderohet si një yll në rritje i futbollit holandez, një lojtar që mund të luajë si qendërmbrojtës, por edhe si mbrojtësi i krahut të majtë. Ajax e vlerësonin kartonin e tij me 40 milionë paund, në këtë pikë në skenë del Broja. Chelsea kërkon të ul kostot e këtij operacioni, për këtë arsye kërkon të përfshijë në negociata kartonin e sulmuesit kuqezi që vlerësohet me 20 milionë paund.

Ajax do të ishte një vitrinë e shkëlqyer për Brojën për t’u rikthyer edhe një herë në nivele të larta, për më tepër do t’i jepte fund huazimeve të njëpasnjëshme. Kujtojmë që Broja është nën kontratë me Chelsea deri në 2028, por kurrë në vitet e fundit nuk është përfshirë në projektin e bluve, kjo e kushtëzuar nga dëmtimet e shumta.
()