Kjo javë do të sjellë të tjera afrime te Partizani. Klubi i kuq po punon në merkato, ndërsa “Panorama Sport” mëson se pritet të zyrtarizohen të paktën dy përforcime të tjera para Europës.
Partizani deri tani ka prezantuar katër lojtarë të rinj, që janë nën urdhrat e trajnerit Gega. Bëhet fjalë për Martinez, Skukën, Isgandarlin dhe Garsian. Tre emrat e fundit tregojnë fokusin e madh që i është kushtuar repartit ofensiv. Sulmi shfaqet i kompletuar, dhe pse asgjë nuk quhet akoma e mbyllur. Podstrelov, Vujnoviç, Eleke, Taipi, Domgjoni, Mintongo, Osmanllari mungojnë nga edicioni i kaluar. Me përjashtim të Taipit, emrat e tjerë u afruan pikërisht gjatë sezonit 2024-25. Largimi i tyre ka bërë që Partizani të mos e ndalë punën në merkato para Europës.
MESFUSHA- Partizani shfaq nevoja në mesfushë. Që gjithçka të funksionojë si duhet, rol të rëndësishëm ka edhe reparti i mesfushës. Për këtë ka lindur nevoja e gjetjes së një lideri. Nuk mungojnë kualitetet, megjithatë sfidat ndërkombëtare sjellin tjetër vështirësi.
EUROPA- Ndeshja me Kalju është më pak se tri javë larg. Sfida e parë në Ligën e Konferencës do të jetë në Estoni, më 10 korrik ora 18:45. Takimi i kthimit do të luhet një javë më pas, pikërisht më 17 korrik në “Air Albania”. Objektiv i vetëm është kalimi i turit të parë. Shorti i shmangu Partizanit rivalë “big” edhe për turin e dytë. Nëse të kuqtë kalojnë estonezët, atëherë sfida e radhës i gjen me fituesin e çiftit St. Patrik-Hegelman. Duke qenë njëra irlandeze dhe tjetra lituaneze, bën që besimi për kalimin në turin e tretë të jetë mjaft i madh.