
Këngëtarja britanike Jessie J ka ndarë për herë të parë me ndjekësit e saj detaje nga përballja me një diagnozë të rëndë shëndetësore. Nëpërmjet një postimi emocional në Instagram, artistja 37-vjeçare bëri të ditur se i është diagnostikuar kanceri i gjirit, ndërsa së fundmi ka kaluar 48 orët e para të trajtimit të saj në spital.
Jessie, e cila mbajti performancën e saj të fundit para nisjes së trajtimit, ka vendosur të flasë hapur për gjithçka po kalon. Në foto dhe video të publikuara, ajo shihet e prekur dhe me lot në sy në dhomën e spitalit, ndërsa bashkëshorti i saj Chanan e mbështet në çdo hap. Në disa prej pamjeve shfaqet edhe djali i tyre i vogël, Sky Safir.
“Ky postim përmban disa nga uljet dhe ngritjet e 48 orëve të fundit. Gjithmonë do të tregoj pjesët e mira dhe të vështira të çdo udhëtimi që kaloj”, shkruan ajo, duke e nisur mesazhin me një paralajmërim për ndjeshmëri dhe sinqeritet.
Këngëtarja falënderoi stafin mjekësor dhe familjarët që kanë qenë pranë saj në këtë periudhë të vështirë.