
Rita Ora ka folur hapur për periudhën e saj të vështirë si adoleshente, kur jeta e saj u trondit pas diagnozës së nënës së saj, Vera, me kancer të gjirit. Ajo ishte vetëm 13 vjeç kur nëna e saj u diagnostikua dhe iu nënshtrua trajtimeve të rënda. Në një intervistë për podcastin Begin Again, Rita tregoi se kjo përvojë e thellë ka pasur një ndikim të madh në shëndetin e saj mendor, duke përfshirë PTSD dhe sulme paniku.
“Ishte e vështirë të shihje dikë që gjithmonë ke besuar se do të ishte aty për ty, të shembet përpara syve të tu. Edhe kur je fëmijë, kjo është shumë e vështirë”, shprehet Rita. Ajo kujton gjithashtu periudhën kur përpiqej të balancohej mes shkollës dhe ndihmës që mund t’i ofronte nënës së saj, e cila po kalonte një trajtim të vështirë. “Ishte një periudhë shumë e vështirë për prindërit e mi”, shtoi ajo.
“Fillova të bëja kontrolle të rregullta dhe kjo më shqetësoi shumë. E përjetova çdo pjesë të kësaj përvoje me mamanë time dhe kjo më ka ndikuar thellësisht,” tha ajo.