“Tekstet letrare të kohës së monizmit ishin të tmerrshme”/ Elsa Skënderi: Çdo gjë ishte ideologjike. Librat ishin ‘armë’ në duart e partisë

Pedagogia Elsa Skënderi, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, komentoi ndikimin ideologjik të teksteve shkollore gjatë kohës së monizmit në Shqipëri.

Ajo prezantoi librin e saj të ri “Ideologjia në tekstet shkollore të gjuhës dhe të letërsisë gjatë kohës së monizmit”, duke e cilësuar atë si një studim të domosdoshëm për të kuptuar të kaluarën.

Skënderi theksoi se tekstet e asaj kohe ishin të mbushura me propagandë, gjuhë të ashpër dhe përdorim ideologjik të letërsisë si mjet kontrolli. Ajo krahasoi edhe tekstet e Shqipërisë me ato të Kosovës, ku këto të fundit rezultuan më të pasura dhe më të hapura ndaj autorëve të ndryshëm.

Pedagogia Elsa Skënderi: Unë jam bashkëautore në librin me titull “Ideologjia në tekstet shkollore të gjuhës dhe të letërsisë gjatë kohës së monizmit”, libër që është mbështetur nga Universiteti i Tiranës. Të gjitha vendet me të shkuar komuniste kanë studime të kësaj natyre. Ne kemi për tekstet e historisë, por për gjuhën e letërsinë nuk kishte asgjë. Jemi vend me të shkuar diktatoriale të ashpër dhe ka zgjatur për gati 5 dekada dhe duhet ta studiojmë të shkuarën tonë. Tekstet e asaj kohe ishin të tmerrshme. Kjo, sepse çdo gjë ishte ideologjike. Gjithkund ka gjak, luftë, armiq, ka një gjuhë të ashpër, ka fjalime të Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë që jepen si pjesë letrare. Tekstet ishin armë në duart e partisë. Këtë e pranonte edhe vetë regjimi.

Kur libri është krahasuar me librat e Kosovës në të njëjtën periudhë, ka dalë se librat në Kosovë kanë qenë më të pasur sesa librat në Shqipëri, kishte autorë që këtu ishin të ndaluar. Tekstet në Kosovë kanë qenë më të pasura. Projekti ka marrë 2 vite. Kemi marrë tekste në Bibliotekën e Shqipërisë dhe të Kosovës, kemi marrë intervista në Shqipëri e në Kosovë. Kam dhe një libër tjetër “Gjuha e ideologjisë”, është përmbledhje e artikujve të shkruara nga unë në gjuhën shqipe. Libri vjen pas më se një dekade punë në universitet dhe angazhimeve në punë kërkimore. Pastaj kam përthyer librin “Estetika dhe letërsia”, libër që është filozofi e letërsisë, e vështirë të përkthehet, por që vjen një ditë që duhet ta marrësh përsipër. Kam redaktuar edhe disa poezi të Kujtim Shalës.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×