E besoni apo jo, por Botërori i Klubeve prodhon një nga befasitë e mëdha, Al Hilal likuidon Man.City, një nga ekipet favorite të këtij turneu. Simone Inzaghi vë në jetë një mrekulli të vërtetë, i dhuron ekipit saudit një biletë historike për në fazën çerekfinale, aty ku do të përballen me Fluminensen. Al Hilal vërtetoi edhe një herë se në futboll mund të ndodh gjithçka, pavarësisht diferencave të mëdha. Në Orlando nuk mjaftoi koha e rregullt për të përcaktues një fitues, ku 90 minutat u mbyllën në barazim 2-2, ndërsa në shtesë u shënuan dhe 3 gola të tjerë.
Man.City krijoi iluzionin se do ta zgjidhte lehtë këtë takim ku pas vetëm 9 minutash lojë Bernardo Silva realizoi golin e parë. Situata ndryshoi totalisht në fraksionin e dytë, ku Al Hilal jo vetëm që nuk u dorëzua, por shënoi dy gola të shpejtë me Marcos Leonardo dhe Malcom duke përmbysur rezultatin. Tre minuta më pas, Haaland përfitoi nga një top i ngecur në zonë duke barazuar shifrat në 2-2. Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim në rezultat duke bërë që ndeshja të shkonte në shtesë.
Në minutën e 94-të, gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, Koulibaly me kokë dërgoi topin në rrjetë duke kaluar Al Hilal në avantazh. I sapo hedhur në fushë, për të rikthyer Man.City në lojë mendoi Foden, me sulmuesin anglez që barazoi shifrat në 3-3 në minutën e 104. Emocionet nuk kishin fund, me Al Hilal që kapi edhe një herë “mat” Man.City me një zbritje të shpejt në sulm, ku Marcos Leonardo në zonë e kishte të lehtë të shtynte topin në portën e boshatisur duke i dhuruar Al Hilal një kualifikim spektakolar në çerekfinalet e Botërorit për Klube.
Trishtim pa fund në sytë e Haaland, Guardiolës e të tjerë, ky ishin fundi i një sezoni totalisht të dështuar.
()