“Fantastike”. Me këtë fjalë e përkufizoi Simone Inzaghi suksesin përballë Man.City, një fitore 4-3 që i dhuroi në mënyrë të papritur një biletë për në fazën çerekfinale të Botërorit për Klube, një përfundim që të paktë ishin ata që e mendonin. Al Hilal luftoi fort për 120 minuta duke vënë në jetë një kryevepër të vërtetë. Sigurisht, ky përfundim kënaq pafund trajnerin Simone Inzaghi:
“Çelësi i suksesit i këtij rezultati ishin djemtë, vendosen zemrën në fushë. Ne ishim të detyruar të bënim diçka të jashtëzakonshme pasi e dinim se sa i fortë është ekipi i Man.City. Duhet të kalonim një mal si Everesti pa oksigjen, por u treguam fantastik. Pep Guardiola? Ai është trajneri më i mirë në botë, por këtë mbrëmje ne bëmë më të mirën tonë dhe e merituam këtë rezultat”, u shpreh Inzaghi pas ndeshjes.
Botërori për Klube, për më tepër ky eliminim, i vendosi “vulën” një sezoni të dështuar nga ana e Man.City. Pep Guardiola ndjen keqardhje për këtë disfatë, pasi në sytë e tij ekipi prodhoi shumë:
“Është mëkat. Në këtë pikë të turneut të gjithë ndeshjet janë të vështira. I lejuam atyre të krijonin shumë në trazicion, por edhe ne krijuam shumë, në përgjithësi u treguam të zotë, por portieri i tyre bëri disa pritje fantastike. Nuk kam çfarë të them më shumë, në ndeshje të tilla duhet të jesh cinik. Ndjesitë janë se skuadra po ecën mirë, tani rikthehemi në shtëpi, kemi kohë për të pushuar, për t’u rifreskuar dhe të rikthemi sezonin e ri”, theksoi Guardiola.
()