U qëllua me 24 plumba/ ‘Në Shënjestër’ zbardh dëshminë e Kevin Hajrullës pas atentatit ndaj tij: Bëj një jetë modeste, Inez Hajrullan e kam kushëri, por…

Në emisionin Në Shënjestër në News24 u trajtua tema e përplasjes së dhunshme mes familjeve kriminale në Shqipëri, me fokus në atentatet e fundit ndaj anëtarëve të familjeve Hajrulla dhe Sinomataj.

Në Shënjestër

Kevin Hajrulla qëndroi javë të tëra në gjendje të rëndë, pasi ishte goditur me dhjetra plumba gjatë atentatit ndaj tij. Ai u trajtua në Spitalin e Traumës, ku qëndroi nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve dhe nën mbrojtjen e policisë, e cila ruante dhomën e tij me masa të forta sigurie. Gjatë kësaj periudhe, Kevin tregoi lidhjen e tij me personazhin më të njohur të familjes Hajrulla dhe të vetë qytetit të Vlorës, Inez Hajrulla, i cili mori drejtimin e grupeve kriminale pas ekzekutimit të Edison Harizajt, i njohur si Edison ‘Faqedjeguri’.

Inez Hajrulla ka qenë vetë disa herë objektiv i atentateve, ku ka pësuar dëmtime të rënda fizike që kanë ndikuar në jetën e tij, por jo në aktivitetin kriminal, që ai vazhdon ta ushtrojë përmes ndikimit të tij në qytet. Kevin theksoi: “Unë Inez Hajrullan e kam kushëri, por nuk kam raporte të afërta me të dhe nuk takohem me të në përditshmëri.” Ai gjithashtu mohoi të ketë konflikte që mund të lidhen me atentatin ndaj tij.

Kevin tregoi se në momentin e sulmit ndodhej në një kryqëzim të populluar në lagjen ‘Çole’, kur një makinë në lëvizje qëlloi me breshëri plumbash ndaj tij. Megjithëse mohoi raporte të ngushta me kushëririn e tij problematik, grupi hetues beson se pista kryesore mbetet ajo e hakmarrjes, si dhe një konflikt i mundshëm i vetë Kevin Hajrullës, i cili megjithatë theksoi se bënte një jetë normale dhe modeste si punonjës call center.

As miqtë e tij nuk dhanë detaje që të ndihmonin në identifikimin e autorëve, duke theksuar se gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe ajo çfarë arritën të mbajnë mend ishte vetëm tipi i automjetit të atentatorëve. Ata thanë gjithashtu se Kevin nuk kishte shfaqur shqetësime apo mbrohej nga ndonjë rrezik i mundshëm, duke lëvizur lirshëm në qytet.

Rasti i tij tregon qartë se grupet kriminale kundërshtare kanë nisur të gjuajnë familjarët e bosëve të krimit, në përpjekje për t’i demoralizuar dhe për t’i detyruar të qëndrojnë të izoluar në “zgafellat” e tyre.

Dosja Hetimore thekson: “Pista kryesore në atentatin ndaj Kevin Hajrullës mbetet konflikti i mëparshëm, lidhja familjare me Inez Hajrullën, i njohur si ‘i forti’ i Vlorës, i cili ka kaluar një histori të gjatë përplasjesh me grupe rivale dhe ka shpëtuar dy atentate serioze.”

I pari atentat ndaj Inez Hajrullës ndodhi në vitin 2017, kur ai u sulmua me tritol dhe pësoi dëmtime serioze në të dyja këmbët. Tjetri ndodhi më 10 maj 2019, kur u qëllua nga një automjet në lëvizje te lagjia ‘Uji i Ftohtë’ në Vlorë, ndërsa ishte në një lokal. Gjatë këtij sulmi, një kalimtar i rastësishëm u plagos, ndërsa autorët dogjën makinën që përdorën në fshatin Babicë e Vogël.

Inez Hajrulla, i njohur gjithashtu si “Ini i Çones”, u bë figura kryesore e krimit të organizuar në Vlorë pas vrasjes së Edison Harizajt në vitin 2018, ku ai shërbeu si krahu i djathtë dhe mori drejtimin e grupit.

Konfliktet mes grupeve rivale vazhduan, përfshirë përplasjet me familjen Sinomataj, e cila pas atentatit ndaj Kevin Hajrullës mori një tjetër mesazh të qartë vetëm një javë më vonë: një pako me dron të ngarkuar me eksploziv që u hodh në ballkonin e katit të 9-të të apartamentit të Bernard Sinomataj në Tiranë. Një paralajmërim i hapur se hakmarrja është afër dhe se lufta mes këtyre familjeve vijon.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×