Petrit Muhameti- Pronari i VAS KONSTRUKSION, ka dëshmuar sot në seancën që po mbahet në GJKKO për dosjen “5D”.
Ai ka deklaruar se i është ofruar që të jetë pronar i kësaj kompanie nga Alfred Qato, vëllai i Mariglen Qatos, i cili është edhe dhëndri i tij, pasi është martuar me të bijën.
“Kam në pronësi një furrë buke. Ka afërsisht, 16-17 vjet që e kam. Një firmë VAS Konstruksion, mu ofrua të bëhesha pronar, nga viti 2016-2017. Ma ofroi dhëndri im, Alfred Qato. Është një firmë e mirë më tha, do jesh pronar i kësaj kompanie. Nuk do bësh asgjë, ke staf për punën, vetëm do firmosësh. Hapa një llogari në bankë për të tërhequr lekët. Hapa një numër llogarie. Banka më niste njoftim, të tërheq shumën, 40 milionë lekë të vjetra. I merrja lekët, ia jepja Fredit, e shkonin në arkën e vogël të shoqërisë. Dy herë shkova në bankë.
Pas një viti e shita, se pata një operacion zemre. Doktori më tha duhet t’u largohem streseve. I kërkova Alfredit të hiqja dorë. Kur e bleva nuk mora lekë, edhe kur e shita me 10 milionë lekë, nuk mora lekë. Nestori nuk më ka kaluar shumë monetare. Kur unë isha ortak, nuk njihja asnjë nga punonjësit. Kam shkuar një herë të kompania. Eduard Metën nuk e njoh. Mora vesh se ky kishte kompaninë IGOR para meje, por tani e kam marrë vesh.
Më tha Fredi që hap një numër llogarie. Fitimin e kompanisë do e procesonim nga banka. Më pëlqeu se thashë është punë me bankë. Puna ishte 25 minuta, ia jepja Fredit.
Nga 32 milionë lekë të vjetra, pasi ndërruam bankën, ia dhashë Nestorit, 4 herë.
Shumat ishin: 42 milionë më e madhja, 32, 37, 38, 40, 18 milionë ishte më e vogla.
Me Mariglen Qaton, kemi marrëdhënie krushqie. Në vitin 2006 erdhi se më vdiq babai. Në 2011, te dasma e vajzës dhe për ditëlindjen e nipit 10 vjet më pas. Tre herë e kam takuar. Për Redi Mollën e dëgjova për herë të parë në televizor, kur u arrestua për grupin 5D”, tha ai.