82 vite më parë, në fshatin Borovë të Kolonjës, historia shqiptare do të përjetonte një nga faqet më të zeza të saj. Një divizion gjerman kreu një nga masakrat më të rënda ndaj popullsisë civile, duke djegur fshatin dhe vrarë 107 banorë të pafajshëm, mes tyre shumë gra e fëmijë.
Në këtë përvjetor, homazhet në Borovë sollën jo vetëm lot e kujtime, por edhe zëra që përpiqen të ndërtojnë ura miqësie mbi tragjedinë. Një prej tyre ishte gjermani Ulrich Chilian, i cili tha se kjo nuk është hera e parë që vjen në Borovë dhe se ndjen të kërkojë falje në emër të popullit të tij.
Në mesin e të pranishmëve kishte edhe dëshmitarë që kanë humbur të afërmit në atë ditë të kobshme. Ata tregojnë me dhimbje se në mesin e viktimave ishin motra, vëllezër dhe familjarë të tyre.


Kryetari i Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai, në fjalën e tij vuri në dukje rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike, duke e krahasuar këtë ngjarje me realitetin e sotëm botëror, ku, sipas tij, jeta e njeriut është shpeshherë në mëshirë të njeriut dhe jo të Zotit.
Viktimat e masakrës janë nderuar me titullin “Dëshmorë të Atdheut”. Çdo 6 korrik, familjarë, qytetarë dhe përfaqësues shtetërorë mblidhen në Borovë për të përkujtuar jo vetëm masakrën, por edhe qëndresën dhe sakrificën e atyre që nuk jetojnë më.