Pas 150 orë në flakë, shuhet zjarri në Landfillin e Elbasanit. Sipërfaqja u mbulua me mbi 35 mijë metër kub dhera (video)

Pas rreth 150 orësh me zjarr aktiv në Landfillin e Elbasanit, situata është vënë nën kontroll. Që prej orës 16:00 të ditës së diel, nuk është konstatuar më prani flakësh apo tymi në zonën e prekur.

Zjarri, i cili kishte përfshirë si sipërfaqen ashtu edhe nënshtresat e mbetjeve, është izoluar pas një operacioni të zgjeruar që përfshiu forcat zjarrfikëse, strukturat vendore, ushtrinë dhe institucionet qendrore.

E gjithë sipërfaqja e landfillit, prej afërsisht 20.000 m², është mbuluar me mbi 35 mijë metër kub dhera. Trashësia e shtresës së dheut shkon deri në 2 metra në pjesën e sipërme dhe nga 30 deri në 50 cm në skajet anësore. Kjo masë ka për qëllim ndërprerjen e furnizimit me oksigjen, duke ndalur përhapjen e mëtejshme të zjarrit në thellësi.

Pas një udhëzimi të drejtpërdrejtë nga Kryeministri Edi Rama, u intensifikuan masat për ndalimin e zjarrit brenda fundjavës. Puna u përqendrua në një operacion të vazhdueshëm logjistik dhe teknik për të shmangur përkeqësimin e situatës.

Sipas vlerësimeve paraprake, incidenti ka pasur ndikim të konsiderueshëm në cilësinë e ajrit dhe mjedisin përreth. Ekspertët njoftojnë se do të jetë e nevojshme një periudhë monitorimi për të vlerësuar efektet mjedisore dhe shëndetësore të ndodhura gjatë ditëve me ndotje të lartë.

Aktualisht nuk dihet nëse ndërhyrja e kryer përbën një zgjidhje të përhershme për menaxhimin e landfillit, apo një masë të përkohshme për të ndalur përhapjen e zjarrit. Institucionet përgjegjëse pritet të analizojnë shkaktarët dhe të propozojnë masa parandaluese për raste të ngjashme në të ardhmen.

Ndërkohë që flakët janë shuar dhe tymi është zhdukur nga qielli mbi Elbasan, mbetet pezull një pyetje thelbësore: A do të mësojmë më në fund nga kjo tragjedi? A do të ketë masa të qëndrueshme për menaxhimin e mbetjeve dhe parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen?

()

 


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×