Prokuroria Fier sekueston 276 hektarë tokë e përfituar me dokumenta të falsifikuara, procedohet për dy vepra penale një shtetas

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka sekuestruar një sipërfaqe prej 276.5 hektarësh tokë në fshatin Hasturkas, Libofshë, e klasifikuar si “kullotë” dhe “pyll”, pas dyshimeve të forta se është përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara.

Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 1419, datë 24.10.2019, dhe kanë çuar në referimin e dy veprave penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, të parashikuara nga nenet 287 dhe 186 të Kodit Penal.

Sipas hetimeve, një shtetas ka përfituar pronën me anë të dokumenteve të falsifikuara, përfshirë një vendim të dyshimtë të ish-Komunës Libofshë të datës 22.02.2008. Dokumentet, përfshirë vendimin nr.5 të datës 26.09.1999 dhe vërtetime të tjera, janë verifikuar si të falsifikuara, bazuar në ekspertiza që kanë zbuluar mungesën e firmave dhe shkrimeve origjinale të anëtarëve të Komisionit të Pronësisë.

Veçanërisht, vendimi për ndarjen e tokës është datuar në një të dielë – ditë pushimi zyrtare – çka e bën të dyshimtë ligjshmërinë e tij. Pasuria është më pas ndarë në disa pronarë përmes kontratave shitje dhe dhurimi.

Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e plotë të pasurisë prej 276.5 hektarësh në zonën kadastrale 1940 të fshatit Hasturkas. Kërkesa është miratuar nga Gjykata dhe urdhërat për zbatim janë tashmë në fuqi.

Prokuroria e Fierit thekson se mbetet e angazhuar në prioritet për goditjen e pasurive me prejardhje të paligjshme dhe ndëshkimin e çdo tentative për pastrim parash apo përvetësim prone përmes falsifikimeve.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×