Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit i ka hapur rrugën ndërtimeve në pasuritë e regjistruara si “ullishte” dhe “pemëtore”, ku për shkak të zjarreve apo shkaqeve të tjera rezulton të mos ketë pemë, drufrutore apo ullinj.
Me vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, i firmosur në datën 25 gusht, nga kryeministri Edi Rama dhe 9 ministra, thjeshtohet dhënia e lejeve të ndërtimit në këto zona, që përfshijnë edhe shumë ullishte e pemëtore të djegura nga zjarret masive gjatë muajit gusht.
Konkretisht, në vendim përcaktohet se “për të gjitha vendimmarrjet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, në rast se projekt-propozimet shtrihen mbi pasuri me zë kadastral ‘pemëtore’ apo ‘ullishte’, në të cilat nga evidentimi në terren rezulton të mos ketë pemëtore, drufrutorë ose ullinj, subjekti duhet të depozitojë pranë AZHT-së, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse, disa dokumente.




Fillimisht, duhet të paraqitet një procesverbal i gjendjes faktike të sipërfaqes së tokës ullishte apo me kultura drufrutore në terren, të shoqëruar me foto të gjendjes ekzistuese, i mbajtur nga topografi, i cili deklaron se pasuria e cila është verifikuar, është e njëjta sipas dokumentit të pronësisë, dhe agronomi, i cili verifikon gjendjen faktike mbi ekzistencën ose jo të kulturave drufrutore apo ullinjve.
“Procesverbali nënshkruhet gjithashtu nga pronari i pasurisë apo përfaqësuesi i zhvilluesit të projekt-propozimit,” thuhet në vendim. Në të njëjtin vendim përcaktohet se, pasi agronomi bën edhe deklaratën, për sipërfaqet deri në 0.1 ha, konfirmimi i gjendjes faktike të pasurive, për të cilat është deklaruar që nuk ka pemëtore/drufrutorë, kryhet nga specialisti agronom përkatës pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore, brenda 5 ditëve pune.
“Në rast se njësia e vetëqeverisjes vendore nuk përgjigjet brenda afatit 5-ditor, konfirmimi kryhet nga specialisti agronom pranë Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor përkatëse,” thuhet në dokument. Ndërkohë, për sipërfaqet më shumë se 0.1 hektarë, evidentimi bëhet me dy agronomë: njëri nga qeverisja vendore dhe tjetri nga Ministria e Bujqësisë.
Vendimi në fjalë i hap rrugë tjetërsimit të ullishteve, kryesisht në zonën e bregdetit të jugut, duke filluar nga Vlora, Radhima apo edhe Orikumi. E njëjta situatë është edhe në Palasë, Dhërmi, Vuno apo edhe Himarë, ku e gjithë zona në afërsi të bregut të detit është e mbushur me ullinj. Plantacione të mëdha me ullinj apo me pemëtore ka edhe në Qeparo, Borsh apo edhe Lukovë.