Në një Juventus që kërkon të rilindë pas një vere të trazuar, Dusan Vlahovic është kthyer në pikën e vetme të qëndrueshme dhe shpresëdhënëse. Gjashtë gola në shtatë ndeshje dhe një asist vendimtar në përmbysjen spektakolare ndaj Borussia Dortmund në Champions League – serbi ka folur me lojë, jo me fjalë.
I nisur nga stoli, por gjithmonë vendimtar, sulmuesi bardhezi ka treguar se është ende aty për t’u marrë seriozisht. Një përgjigje e fortë ndaj atyre që gjatë verës e kishin vendosur në listën e largimeve, me tabelën “në shitje” thuajse të stampuar mbi shpinë.
Por, edhe pse në fushë po bind, jashtë saj situata mbetet e ngrirë. Kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2026, por bisedimet për rinovimin janë ndalur prej kohësh. 12 milionë euro në sezon – një shifër që klubi e konsideron të papërballueshme në këtë fazë. Drejtuesit dhe lojtari qëndrojnë larg, secili në pozicionin e vet, me dialogjet thuajse të ndërprera.
Megjithatë, në ambientet e Continassa nuk mungon optimizmi. Disa zëra nga brenda klubit lënë të kuptohet se një dritare e vogël mund të jetë hapur. Por për të kaluar nga shpresat në realitet, do të duhen hapje, kompromis dhe mbi të gjitha vullnet për të dëgjuar njëri-tjetrin.
Për momentin, Vlahovic vazhdon të flasë në gjuhën që njeh më mirë – atë të golit. Pjesa tjetër… mbetet për t’u shkruar.
© BalkanWeb