“Thuaji të mos na vrasin deri sa të zbardhet e vërteta”/ Atentati i Shkozetit, dëshmitari në gjyq zbulon tentativën e Rrajave për t’u pajtuar me familjen e shoferit të vrarë, Andi Maloku

Vijon procesi gjyqësor për atentatin e ndodhur më 1 nëntor 2019 ndaj automjetit ku ndodheshin prokurori Arjan Ndoj, shoferi i tij Andi Maloku, që humbi jetën, dhe Aleksandër Laho (i njohur si Rrumi i Shijakut). Sot, në sallën e gjyqit ka dëshmuar Haxhi Murati, një tjetër dëshmitar i thirrur nga prokuroria, i cili ka dhënë detaje të reja për përpjekjet e bëra për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit pas ngjarjes.

Murati, i cili deklaroi se në atë kohë jetonte në Krujë dhe kishte një biznes, por gjithashtu kishte shërbyer për disa muaj si kryeplak, tregoi se kishte ndërhyrë në procesin e pajtimit mes familjeve, me kërkesë të Asllan Rrajës, babai i Redian Rrajës, i dyshuar për përfshirje në atentat.

“Asllani më erdhi në shtëpi dhe më tha që të shkonim te babai i viktimës në Shijak. Më kërkoi të ndërhynim për të shmangur gjakderdhjen, të mos vazhdonte pushka derisa të sqarohej e vërteta,” dëshmoi Murati.

Sipas tij, takimet u zhvilluan fillimisht me babain e Andi Malokut dhe më pas në Shijak, me pjesëmarrjen edhe të disa familjarëve të tjerë. Murati deklaroi se nuk ishin përmendur emra konkretë si autorë të atentatit, përveç përmendjes së djalit të Asllanit, që sipas dëshmitarit, Asllan Rraja pretendonte se nuk ishte i përfshirë.

“I kam përcjellë fjalët e Asllanit, që thoshte: ‘Nuk është djali im në ngjarje. Duroni derisa të zbardhet e vërteta’. Më vonë e takova dhe i thashë që nuk bëre asgjë për ta zbardhur. Emrin e djalit nuk ma kujtonte, por di që kishte një punë në Fushë-Krujë me dhëmbë,” tha Murati, duke shtuar se nuk e njihte Redian Rrajën, por vetëm deputetin Rrahman Rraja.

Më pas ka ardhur ndërhyrja e Plarent Dervishajt, i cili ka pyetur dëshmitarin nësë djali i Asllan Rrajës, Redjan Rraja ishte arrestuar apo jo në momentin kur i ati kërkoi të kontaktohej me familjen e Andi Malokut.

Murati u shpreh se nuk kishte dijeni se ku e kishte marrë informacionin Asllan Rraja, por i ka thënë se djali i tij nuk është fajtor dhe ka kërkuar që të përcillet mesazhi te familja e viktimës “deri sa ta zbardhim nëse ka faj apo jo djali im, të mos na vrasin”.

I pyetur nga i pandehuri Plarent Dervishaj nëse emra konkretë ishin përmendur si përgjegjës për atentatin, Murati u shpreh shkurt: “Jo.”

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×