Incidente në Rrogozhinë/ Tirana në krizë, tifozët i vënë flakën tribunës

Edhe pse Tirana nuk po kalon një moment të mirë në kampionat, tifozët bardheblu vazhdojnë të jenë krah skuadrës, duke e ndjekur e mbështetur kudo.

Udhëtimi i tyre në Rrogozhinë ishte një tjetër dëshmi e besnikërisë dhe pasionit për ngjyrat, por zhgënjimi nga paraqitja e skuadrës solli edhe shpërthimin e pakënaqësisë. Në minutën e 57- të, situata mori një kthesë të papritur, teksa një grup tifozësh të “Tirona Fanatics” vendosën t’u vinin flakën karrigeve në tribunë, duke shoqëruar gjithçka me ofendime të ashpra ndaj presidencës bardheblu. Gjykatësi Florian Lata u detyrua të ndalojë lojën, pasi tymi i dendur e bëri të pamundur zhvillimin normal të sfidës.

Vetëm në minutën e 64-të, pas një ndërprerjeje prej 7 minutash dhe ndërhyrjes së forcave të sigurisë, ndeshja rifilloi. Largimi i tymit nga fusha lejoi vazhdimin e lojës, por episodi mbeti një njollë e rëndë mbi një tjetër mbrëmje zhgënjyese për Tiranën, ku tensioni mes skuadrës dhe mbështetësve të saj duket se po arrin kulmin. Ky incident pritet të ketë pasoja serioze për klubin bardheblu.

Në bazë të rregullores së Disiplinës së FSHF-së, Tirana rrezikon të dënohet me gjoba të rënda, dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara në stadiumin e Rrogozhinës dhe në rast përsëritjeje, edhe me mbylljen e ndeshjeve pa tifozë.

Autoritetet do të shqyrtojnë gjithashtu pamjet filmike për të identifikuar personat përgjegjës për zjarrin dhe dëmtimet në impiant. Përtej penaliteteve financiare dhe sportivëve, episodi thellon krizën e besimit mes skuadrës dhe tifozëve, ku mbështetja e pakushtëzuar po kthehet në revoltë të hapur ndaj drejtuesve bardheblu.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×