Struktura të panjohura më parë, qeramika, monedha dhe objekte metalike janë mes gjetjeve më të fundit nga gërmimet arkeologjike në qytetin antik të Antigonës. Zbulimet, të bëra gjatë këtij sezoni kërkimesh nga ekipi shqiptar e italian, hedhin dritë mbi periudha më të hershme të jetës së qytetit dhe e kthejnë Antigonën në një pikë kyçe për studimin e luginës së Drinos.
Rezultatet u bënë të ditura gjatë një takimi shkencor të zhvilluar në kalanë e Gjirokastrës dhe të organizuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, ku u prezantuan rezultatet e fundit të gërmimeve arkeologjike në qytetin antik të Antigonesë. Projekti është një bashkëpunim mes Institutit Arkeologjik të Tiranës, Universitetit të Maceratës dhe institucioneve të tjera shqiptare e italiane, dhe prej disa vitesh ka për qëllim studimin e historisë dhe të evolucionit arkeologjik të luginës së Drinos.
Sipas specialistëve italianë dhe shqiptarë, projekti nuk synon vetëm kërkimin shkencor, por edhe formimin e studentëve dhe nxitjen e zhvillimit turistik e kulturor të rajonit.
“Ne si Universiteti i Maceratës, në bashkëpunim me Institutin, po zhvillojmë një projekt prej pesë vitesh në Antigone, por në të vërtetë është pjesë e një projekti më të gjerë që ka nisur në vitin 2006 me shumë drejtorë shqiptarë. Synimi është të studiohet historia dhe evolucioni arkeologjik i luginës së Drinos. Kemi punuar në Adrianopol, kemi punuar në shumë vende të tjera, por tani është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë ka ndodhur në Antigone”, tha studiuesi italian.
Antigoneja ka qenë një qendër shumë e rëndësishme e luginës së Drinos nga fillimi i shek. III p.e.s. deri në shek. I p.e.s., duke shërbyer si një lloj kryeqyteti. Për këtë arsye duhet të kuptojmë çfarë ndodhi para dhe pas kësaj periudhe.
Projekti ynë përqendrohet te njohja e qytetit, monumentet e tij, organizimi urban, si edhe mundësitë për t’i vlerësuar nga këndvështrimi turistik.
Është e rëndësishme të kuptojmë se si historia e Antigonesë lidhet me gjithë historinë e territorit. Antigoneja është një vend i mrekullueshëm, me një peizazh magjepsës dhe me mbetje arkeologjike shumë interesante, edhe pse jo monumentale.
Mariglen Meshini, drejtor i Shërbimit Arkeologjik pranë IKTK-së , theksoi rëndësinë e integrimit të gjetjeve shkencore me turizmin kulturor. “Vlerësimi i trashëgimisë nuk është i plotë pa mundësinë për ta kthyer atë në burim zhvillimi për komunitetin lokal dhe për turizmin,” – u shpreh ai.
Takimi u shoqërua me diskutime mbi mënyrat e promovimit të trashëgimisë arkeologjike dhe kulturore të Gjirokastrës, duke e parë Antigonenë si një destinacion që mund të lidhë shkencën me turizmin elitar.
© BalkanWeb