Skënderbeut i ka mjaftuar përsëri një gol për të likuiduar një rival direkt në rrugëtimin e skuadrës korçare drejt kthimit në Superiore. Ashtu si një javë më parë ndaj Pogradecit, sot ka ardhur një tjetër fitore 1-0 e ekipit korçar, këtë herë përballë Laçit që ishte kthyer në ndjekësin më të afërt të skuadrës së drejtuar nga Ernest Gjoka.
Në një ndeshje të zhvilluar nën reshjet e shiut, dy skuadrat e patën të vështirë të dilnin në lojën e tyre më të mirë, pro ishin gjithsesi vendasit ata që iu afruan me shumë golit në takimin e zhvilluar në Korçë. Megjithatë, një ndihmë në pjesën e dytë i erdhi nga kartoni i kuq i Mjakit që la Laçin me 10 lojtarë, e më pas Gjoka gjeti zëvendësimin e duhur.
Gjini i sapofutur në lojë, gjeti hapësirën për të goditur në portë pas një aksioni mjaft të bukur, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij, pasi shifrat nuk ndryshuan më deri në fund.
Kësisoj, Skënderbeu mori fitoren e katërt në 5 javë, teksa është konfirmuar kandidati kryesor për ngjitjen në elitë nga Kategoria e Parë.
© BalkanWeb