Në kuadër të javës së 5-të të Superiores, Vllaznia do të presë sot në “Loro Boriçi”, ekipin e Vorës. Dueli që do luhet në orën 19:00 shfaqet shumë interesant, duke parë edhe startin pozitiv të skuadrave.
Përsa i përket ndeshjeve mes dy ekipeve, kjo do të jetë hera e parë në histori që Vllaznia do të luajë përballë Vorës. Në të shkuarën nuk ka pasur asnjë përballje zyrtare mes dy ekipeve në kampionatet e zhvilluara, kjo pasi Vora ka milituar vetëm në kategoritë inferiore të kampionatit tonë. E po ashtu në edicionin 2018-19, ku Vllaznia ishte pjesë e Kategorisë së Parë, Vora atë edicion militonte në Kategorinë e Dytë të futbollit tonë, në këtë mënyrë duke e pasur të pamundur një përballje zyrtare mes tyre.
Prandaj kjo ndeshje e sotme do i shikojë për herë të parë në histori përballë dy skuadrat në një duel kampionati. Ku përballjet kanë qenë vetëm në nivel moshash mes dy skuadrave, duke vijuar nga U-17, U-19 dhe U-21 në të shkuarën. Po ashtu tek Vora dyshja e qendrës së mbrojtjes më parë ka dhënë kontribut edhe për Vllazninë dhe këtu është fjala për Dajan Shehin dhe Serjan Repajn.
BalkanWeb