Derbi i kryeqytetit, ndeshja e 179-të mes Partizanit e Tiranës. Dominimi i kuq në statistika

Tirana dhe Partizani do të përballen të premten në “Air Albania”, në derbin e parë të këtij sezoni, i cili është i 179-të në historinë mes dy klubeve. Kjo ndeshje i gjen skuadrat në situata krejtësisht të ndryshme, me “Demat” që pozicionohen në vendin e tetë dhe bardheblutë të dhjetët.

Diferenca mes ekipeve është 2 pikë. Partizani nuk fiton në derbi prej prillit 2025. Në 10 ndeshje të luajtura, janë koleksionuar 1 fitore e Tiranës, 4 barazime dhe 5 fitore të Partizanit.

BILANCI – 178 takime janë luajtur deri tani mes Partizanit dhe Tiranës në periudhën 1947-2025 në të gjitha kompeticionet. Partizani ka fituar 73 ndeshje, ndërsa bardheblutë 48. 57 ndeshje të tjera janë mbyllur në barazim.

GOLAVARAZHI – 237 gola ka shënuar Partizani, ndërsa Tirana 192. Goli i fundit në derbi për Partizanin është shënuar nga Sembene, por në shkurt. Në anën tjetër në derbin e fundit të fituar nga Tirana shënonte Zharmuni një dygolësh si dhe Emanuel Ernest. Ndeshja e 7 prillit 2025 përfundoi me shifrat 3-0 për Tiranën.

HISTORIA – Takimi i parë historik mes Tiranës dhe Partizanit është luajtur më 30 mars 1947. “Demat e Kuq” fituan 8-0, duke sigluar kështu edhe fitoren më të thellë deri më tani në derbi. 38 vite më vonë, më 22 shtator 1985, Tirana do t’i kthente reston Partizanit, duke e mundur 7-3, në një ndeshje që mbahet mend nga tifozët e të dyja skuadrave për lojën e bukur dhe batutën për “ndryshimin” e orarit të punës.

Rezultati më i thellë i sezoneve të fundit është ai 28 shkurtit të vitit 2020, kur bardheblutë fitonin me shifrat 5-1. Ndërsa më 1 mars 2008, kur të kuqtë drejtoheshin nga Hasan Lika, fitonin në “Qemal Stafa” me shifrat 4-1. Interesant është fakti se nga viti 2006 deri në 2025, janë luajtur 52 ndeshje për llogari të Superiores dhe Partizani ka fituar 22 prej tyre. Në barazim kanë përfunduar 21 ndeshje, ndërsa 9 herë ka triumfuar Tirana. Dukshëm “Demat” kanë dominuar kryeqytetin.

“ISH”-ët – Portieri i Partizanit, Pano Qirko, ka një të shkuar me klubin bardheblu. E njëjta gjë vlen edhe për drejtorin Arbër Abilaliaj. Të dy kanë luajtur me Tiranën në periudha të ndryshme. Sa i përket Tiranës, duke qenë se janë riformatuar si skuadër në sezonin e fundit, asnjë nga lojtarët aktualë nuk regjistron një të shkuar si profesionist me Partizanin.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×