Mosha mesatare, 23 vite e gjysmë. Dhe nëse është e vërtetë (siç thotë legjenda presidenti i Real Madridit, Santiago Bernabeu, që nga lartësia e titujve të tij pohoi), se nuk ka lojtarë të vjetër dhe të rinj, por vetëm lojtarë të zotë, është po aq e vërtetë që Milani i politikës së gjelbër ka siguruar të ardhmen në mbrojtje: Menja, 26, Tomori, 24, Kalulu, 21, të gjithë të punësuar me çmime të përballueshme, me rroga në disa raste (Kalulu) në format “mini”.
Muri i kuqezinjve është i vetëfinancueshëm edhe pse nuk është vetëm çështje parash, por edhe performance, mbi të gjitha për këtë të fundit. Që nga 5 shkurti, data e përmbysjes ndaj Interit që ndryshoi pamjen e kampionatit, “Djalli” ka pësuar vetëm 6 gola. Dy në dhjetë ndeshjet e fundit.
Kjo vjen si meritë e punës së të gjithëve në fazën mbrojtëse, por edhe paraqitjeve me vazhdimësi të qendërmbrojtësit dhe portierit.
PROBLEME DHE ZGJIDHJE
Kur Simon Kjaer u dëmtua kundër Xhenoas në fillim të dhjetorit, parashikimet ishin të errëta. Danezi kishte qenë njeriu i verës në çështjen “Eriksen”, mbi të gjitha ishte lideri i mbrojtjes, senatori, i aftë për ta pritur Tomorin dhe për ta përshtatur menjëherë në futbollin italian, aq të ndryshëm e të ndërlikuar për një 23-vjeçar që luante pak në Angli.
Ishte janari i vitit 2021, hierarkitë ndryshojnë shpejt: Tomori parakalon kapitenin Romanjoli dhe bëhet titullar. Më 9 maj shënoi golin e tij të parë për kuqezinjtë, kundër Juventusit.
PROFESORË DHE STUDENTË
Fiziciteti, aftësia për të parashikuar, por edhe për të punuar e për t’u rritur. Nga ana tjetër, Tomori është mësuar të studiojë: gjatë izolimit prej COVID-it përfitoi nga koha në dispozicion për t’u diplomuar për Menaxhim Biznesi. “Më pëlqen të mendoj se kam qenë gjithmonë i zgjuar”.
Jo vetëm jashtë fushe sepse duke u përmirësuar me profesor Kjaerin, Tomori është bërë edhe një mësues i mirë për Pier Kalulunë, i cili nga mbrojtësi i djathtë është shndërruar në një qendërmbrojtës agresiv dhe të besueshëm. Jo imun ndaj gabimeve, por sidoqoftë një lojtar me vlera.
SHPEJTËSI – Nëse ka një gjë që habit te Kalulu, është shpejtësia e reagimit. Është ende i ri, mund dhe ende duhet të rritet, por progresi ka qenë i jashtëzakonshëm. Kalulu gjithashtu kapërceu kapitenin Romanjoli në hierarkinë e Piolit. Falë një energjie të frikshme dhe jo vetëm kjo: Kalulu pranë Tomorit është bërë profesor i mbrojtjes. Herë pas here duhet kontrolluar vrulli dhe gabimet gjatë rrugëtimit formativ nuk kanë munguar: megjithatë nota mesatare deri tani është 6.36, më e mirë se ajo e Tomorit (6.33) dhe pak më e ulët se ajo e Menjasë (6.37).
SOLIDITET – Majk Menja është diskutim më vete. Ai ka vendosur vazhdimisht dorezat te rezultatet. Mjafton të mendojmë pritjen e mahnitshme kur rezultati ishte ende 0-0 në Milan-Fiorentina që ruajti ekuilibrin pak para se të vinte goli i Leaos. Histori deri diku të ngjashme, ato të lojtarëve që përbëjnë murin kuqezi.
“Majku Magjik” mbërriti mes skepticizmit sepse duhej të zëvendësonte Donarumën, Tomori ishte pak i njohur dhe një mbrojtës i ri anglez nuk ngjallte besim, teksa Kalulu u thirr për të qenë një alternativë stoli për prapavijën. Të gjithë e kaluan shkëlqyeshëm provimin. Kundër Sasuolos, Milani nuk do të dojë dhe nuk do të mund të luajë për të barazuar pavarësisht se një pikë do të mjaftonte. E në këto raste për ata që hidhen në sulm të dinë që e kanë shpinën e mbuluar, është një avantazh i mirë.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – Arena e Lajmit

Loading…