Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë ka arrestuar në flagrancë një punonjës policie me inicialet M.L me detyrë trupë shërbimi në Bllokun e Sigurisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Punonjësi i uniformës blu dyshohet për kryerjen e veprave penale si “Shpërdorim i detyrës”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” si dhe “Moskallëzim i krimit”.
Arrestimi i tij u realizua në bazë të informacioneve të siguruara nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë, ku rezultonte se M. L. do të kryente një takim për blerjen e lëndës narkotike të dyshuar kokainë, me qëllim shitjen e saj më pas në ambientet e Bllokut të Sigurisë, ku ai ushtronte funksionin.
Gjatë kontrollit fizik që u ushtruar ndaj tij, u gjet një dozë prej 0.4 gramë lëndë narkotike, si dhe 70 euro në para të gatshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila do të ndërmarrë veprimet e mëtejshme.
AMP përsërit angazhimin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje nga ana e punonjësve të strukturave shtetërore, duke përdorur kanalet e mëposhtme:
-numri i gjelbër: 0800 9090,
-Email: [email protected]
-Whatsapp: 0694151511
BalkanWeb