Qeveria shqiptare ka vendosur të indeksojë pensionet prej 2.5%, përkthyer në 490 lekë më shumë në muaj për pensionet urbane, dhe vetëm 290 lekë për ato rurale. Për deputeten e PL, Erisa Xhixho kjo rritje është qesharake dhe vlen sa një bukë, pak djathë dhe një domate në muaj.
Xhixho thekson se në vend të një rritje dinjitoze që reflekton krizën ekonomike, inflacionin galopant dhe rritjen e çmimeve, pensionistët, 791 mijë në total, marrin thërrimet e mbetura nga një buxhet që derdhet pa hesap në koncesione, luks qeveritar dhe tendera të dyshimtë.
“Pensionistët shqiptarë mbeten më të varfrit në rajon me një pension mesatar 170 euro, ndërsa në rajon ështe dyfish ose trefish më shumë”, shprehet Xhixho.
Postimi
Qeveria u tall edhe njëherë me 791 mijë pensionistët e vendit, me indeksimin e radhës. Rritja 2.5% do të thotë 490 lekë për pensionet urbane dhe 290 lekë për ato rurale. Pra rritje sa një bukë, 100 gr djath dhe 1 domate në muaj. Mjerim dhe vetëm kaq! Thërrimet që u hedh qeveria pensionistëve, ndërkohë që çmimet janë trefishuar, janë përbuzja më e madhe që u është bërë atyre ndonjëherë. Pensionistët shqiptarë mbeten më të varfrit në rajon me një pension mesatar 170 euro, ndërsa në rajon ështe dyfish ose trefish më shumë. Qeveria që i derdh paratë lumë në koncesione e tendera, i ka bërë pensionistët kategorinë sociale më të diskriminuar e më të varfër të shoqërisë!
BalkanWeb