“Vrasja e gjyqtarit, sfidë e hapur ndaj sistemit”, Kikia: Problemet e drejtësisë janë ulëritëse! Ka shumë përgjegjës

Analisti dhe gazetari Mentor Kikia, në një lidhje të drejtpërdrejtë në studion e News24, ka komentuar vrasjen tronditëse të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit në Tiranë, dy ditë më parë.

Sipas Kikias, kjo ngjarje nuk është thjesht një atentat ndaj një individi, por një sfidë e hapur e krimit ndaj sistemit të drejtësisë.

“Më shumë se një atentat ndaj drejtësisë, ishte një sfidë e krimit,” u shpreh Kikia, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një përplasje klasike midis krimit dhe drejtësisë siç ka ndodhur në Itali në vitet ’80, por për një situatë që rrjedh nga shkatërrimi i besimit të qytetarëve te drejtësia.

“Fajtori para ligjit është ai që tërhoqi këmbëzën e armës. Por duhet të ndajmë vrasësin nga krimineli. Krimineli nuk ka emër konkret. Vrasja e një gjykatësi është përtej një krimi, është më e rëndë.”

Kikia e cilësoi krimin si rezultat të një zinxhiri dështimesh, ku përfshihen institucione dhe individë të ndryshëm, që nga pushteti vendor e deri te sistemi gjyqësor.

“Ka përgjegjësi që nga bashkia me një akt privatizimi, ata që kanë regjistruar një pronë me një akt të dyshimtë, gjykatësit e mëparshëm që kanë zvarritur këtë çështje me vite. Një gjykatë që ngjan me një han, me gjyqtarë që përballojnë deri në 10 çështje në ditë, kushte të munguara sigurie dhe një sistem drejtësie të menaxhuar keq,” tha ai.

Për Kikian, ngjarja është pasojë e korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë në pushtetin vendor, duke theksuar se krimi nuk justifikohet në asnjë rast, por kjo vrasje duhet të shërbejë si një thirrje urgjente për reflektim dhe reformë.

“Problemet e sistemit të drejtësisë janë ulëritëse. Kjo ngjarje tregoi se ato duhet të diskutohen për t’u zgjidhur,” përfundoi Kikia.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×