Nga Agim Kolasi / Dr. Shk. Mjek Neurokirurg
Në mediat e shkruara dhe ato televizive flitet shpesh për politikanë, artistë, shkrimtarë, njerëz me dhe pa vlera, ndërkohë që për mjekët flitet pak ose aspak. Televizionet private dhe ai publik në veçanti, duhet t’i kushtojnë më shumë hapësirë kësaj shtrese të shoqërisë, sepse të punosh, të aktrosh, të bësh politikanin, të qeshësh, të bësh seks më përpara duhet të gëzosh shëndet të mirë, në luftë për mbrojtjen e të cilit janë, në ballë janë mjekët shqiptarë.
Ata kanë qenë këtu para se të vinin mjekët e huaj, si ata turq, grekë, apo çfarëdo lloj kombësie tjetër, të cilët nga Rinasi përfundonin në studiot televizive para se të linin bagazhet në hotel.
Mjekët shqiptarë nuk e kanë braktisur popullin e vet në asnjë rrethanë. Në asnjë periudhë historike, në asnjë sistem politik ku ka kaluar vendi, edhe pse kanë qenë në kushte të vështira pune, të mungesës së bazës materialo – teknike dhe deri në mungesën e sigurisë fizike. Në raste veçanta sakrificat e tyre kanë qenë sublime jo vetëm në kohë lufte. Të tillë ka shumë, por veçanërisht mos harrojmë punonjësit e spitalit numër 2 të cilët humbën jetën tragjikisht në Llogora për t’ju ardhur në ndihmë studentëve të Universitetit Bujqësor. Po ashtu mos harrojmë mjekët e keqtrajtuar fizikisht në krye të detyrës, A. Y. dhe A. R., e plot mjekë të tjerë të ndjekur penalisht për arsye të spekulimeve të paskrupullta populiste dhe politike, duke i trajtuar ata si batakçinj të rëndomtë nëpër zyrat e prokurorisë dhe sallat e gjykatave.
Gjithsesi, arsyeja pse po hedh këto rreshta në letër, është e lidhur me sjelljen në vëmendjen e opinionit publik të një prej mjekëve të talentuar, profesor doktor Arian Xhumarit. E kam fjalën për një nga mjekët e parë neurokirurg, i cili hodhi themelet e shërbimit të neurokirurgjisë moderne në Shqipëri, një model i frymëzuar nga eksperiencat më të mira Evropiane të kohës.
Në vitin e 4 të studimeve në fakultetin e mjekësisë, në ciklin e studimeve të Radiologjisë, profesori Petrit Selenica, për të na konkretizuar teorinë na çoi në kabinetin e radiologjisë. Dhoma dhe pajisjet linin për të dëshiruar. Mbi shtratin e radiologjisë ish shtrirë një pacient i mbuluar me çarçaf deri tek gryka. Në pjesën e përparme të qafës një mjek po bënte manipulimin e rastit. Mjeku ishte një djalë i ri, elegant, trup drejtë dhe shpatull gjerë, i veshur me uniformën e bardhë, me maskë dhe kapuç, nga ku dalloheshin qartë syzet optike dhe vetullat e zeza të trasha. Të them të drejtën fillimisht më tepër më tërhoqi pamja e doktorit sesa manipulimi që po kryente që siç na tregoi profesor Selenica ishte një arteriografi karotike që kryhej tek të sëmurët që klinikisht ekzistonin dyshime për procese ekspansive endokraniale ose patologji të sistemit vazor trunor.
Ky ishte kontakti im i parë me Arianin, këtë njeri të madh që në një dhomë të vjetër me një aparaturë radiologjike tepër modeste përpiqej të hidhte bazat e diagnostikimit të sëmundjeve endokranike. Ky ishte dhe momenti kur krijova kiminë e parë me neurokirurgjinë. Ishte “dashuri” me shikim të parë.
Kjo dëshirë u bë realitet në vitin 1969, kur ndër dhjetë mundësitë e dhëna mjekëve të Spitalit Ushtarak për specializim në RP të Kinës, unë zgjodha neurokirurgjinë. Në vitin 1971 u ktheva nga specializimi por mundësitë për të ushtruar specialitetin tim në Spitalin Ushtarak nuk ekzistonin. Ishte momenti që çdo gjë duhej të krijohej nga fillimi. Kishte nevojë për hapësirë të veçantë brenda spitalit ndërkohë që nevojiteshin instrumentet kirurgjikale, aparaturat si dhe personeli i specializuar. Kjo qe arsyeja që aderova për të punuar në klinikën e Neurokirurgjisë në Spitalin nr. 2 mbasi zyrtarisht me ta bisedoi i ndjeri Sinan Imami, drejtori më ekzigjent i Spitalit Ushtarak.
Pavijonin e Neurokirurgjisë e drejtonte doktor Xhelal Kurti, njeri me cilësi të veçanta, i qeshur, i dashur dhe mendje hapur. Ai na hapi rrugët që të futeshim në gjithë procedurat dhe ndërhyrjet që kryheshin në klinikë. Krah tij, por me metoda më bashkëkohore punonin doktor Arian Xhumari dhe Adrian Osmanlliu. Ariani më priti shumë mirë. Do punojmë bashkë tha, njëlloj si ne, me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë. Shefin e kemi njeri të mirë shtoi ai, e kemi njeri me zemër të madhe dhe progresist, kështu që çdo gjë varet nga përfundoi ai.
Këto ishin hapat e para në profesionin që adhuroja. Fillim i mbarë por me vështirësitë e kohës, me mungesa të instrumenteve, aparaturave dhe reanimatorëve dhe neuroradiologëve. Në një farë kuptimi na lindte nevoja që ne të ushtronim tre specialitete: Neurokirurg, reanimator dhe neuroradiolog, derisa gradualisht dhe këmbënguljen e Doktor Xhelalit dhe Arianit gjendja vinte duke u përmirësuar. Ariani si njeri me horizont të madh që zotëronte shumë mirë gjuhë të huaja përpiqej në mënyrë të veçantë për furnizimin me instrumente dhe aparatura. Problem tjetër ishte zgjidhja e problemeve urgjente në rrethet e ndryshme të vendit. Qëllonte që çdo 24 orë njeri nga ne të lëvizte në drejtim të rretheve ku nuk kishte as neurokirurg as reanimator. Herë me makinë e herë me helikopterë shumë herë arrinim të trajtonim me sukses këto raste. Gjithë këto vështirësi na lodhnin shumë por edhe na ndihmonin shumë për të rritur dimensionin tonë profesional brenda një kohe të shkurtër.
Në këto pak rreshta nuk kam qëllim të vlerësoj figurën profesionale të Dr. Xhumarit, sepse edhe po të doja nuk jam në gjendje ta bëj. Por shkurt mund të them se ai ishte neurokirurg, reanimator, neurolog, neuroradiolog i shkëlqyer dhe themelues i neuroradiologjisë. Gjithashtu ai kish njohuri të thella në specialitetet e ORLS dhe okulistikës. Ai harxhonte shumë kohë në këto klinika sepse i duhej të jepte zgjidhje për patologjitë e këtyre organeve fqinje me trurin.
Qëllim kryesor në këtë shkrim përkujtimor është të nxjerr në pah cilësitë e tij njerëzore, edukatën dhe respektin që kishte për gjithë personelin mbështetës. Kur mësoi se familja ime jetonte akoma në Korçë dhe të ardhurat e mija ishin modeste ai më bëri një propozim të papritur: “nesër për darkë do vish si i ftuar në shtëpinë time. Radha është fasule. Mamaja më tha pyete shokun si i do të gatuara, të bardha apo të kuqe?”. Pa u menduar i thashë të bardha se fasulet e kuqe më kishin ardhur deri në fyt. Të nesërmen kur arritëm tek pallati trekatësh poshtë medresesë më tha: “këtu jetoj unë katin e dytë”. Kur hymë brenda u habita kur pashë një korridor të vogël, një kuzhinë sa korridori, dhe megjithëse dhomat nuk i pashë mu krijua bindja se ishte një banesë jo më shumë se 55 – 60 metra katrorë. Në këtë hapësirë banimi jetonin 2 shkencëtarë; babai Kol Xhumari, autori i abetares së parë shqipe dhe Ariani, së bashku me familjet e tyre respektive, domethënë, nëna dhe bashkëshortja me dy djemtë.
Babai, Kola ishte gjuhëtar i shquar, hartues i abetares shqipe, edukator i shkëlqyer jo vetëm se kishte rritur një djalë si Ariani, por sepse me të njëjtin përkushtim edukonte dhe dy nipërit e tij. Një ditë kur kthehesha nga puna pashë që kishte hipur nipin në një karrige tek sahati i Tiranës; e përshëndeta dhe i thashë pse keni dalë këtu? Po i mësoj nipit leximin e orës tha, gjë e cila duhet bërë në praktikë. Lum ata për atë gjysh thashë me vete.
Mbasi u rehatova në divan u përshëndeta me nënën dhe pas kësaj ra një farë heshtjeje. Qartësisht në veshët e mi mbërrinin tingujt e një muzike klasike që nuk e kuptoja nga vinin. Arian i thashë kjo muzike ma shtoi oreksin; nga vjen? Nga një kasetofon që e bleva në Francë, por që e kam vendosur nën divan. Kuptova që ai nuk donte të dukej por thjesht të dëgjonte dhe të shijonte kryeveprat klasike.
Darkuam së bashku një vakt modest por shumë i shijshëm, jo vetëm se gatimi ishte i shkëlqyer por edhe sepse mikpritja ishte e ngrohtë duke më bërë të ndjehem si në shpi. Shtëpia e vogël nuk e pengonte Arianin të studionte, sepse shtëpia e tij e dytë ishte biblioteka, veçanërisht salla e saj shkencore karshi parlamentit.
Zonjat bibliotekës ja jepnin revistat edhe me vete megjithëse ishte e ndaluar. Njëra nga punonjëset ishte gruaja e një shokut tim dhe për këtë arsye guxoja të kërkoja edhe unë për ta marrë me vete revistën “Neurosurgery”. Patjetër më thoshte që mund ta marrësh por pasi ta kthejë doktor Ariani. Ai brenda mundësive përpiqej të vinte në jetë ato që lexonte. Ishte njohës i shkëlqyer i gjuhës frënge ndërkohe që zotëronte shumë mirë dhe gjuhën angleze, çeke dhe atë italiane.
Një ditë më kërkoi të përpiloja një raport mjekësor për një të sëmurë që do të shkonte për mjekim më të specializuar në Francë. Mbasi e lexoi më tha hajde të shkojmë tek sekretaria për ta shtypur në makinë shkrimi. Unë e lexoja në shqip ai e shtypte direkt në gjuhën frënge. U habita kur ai e lexoi në përfundim dhe nuk korrigjoi asnjë fjalë apo ndonjë shenjë pikësimi.
Sekretaria e Revistës Buletini i Shkencave Mjekësore të Fakultetit të Mjekësisë, më thoshte se shumë shkruajnë por asnjeri si Ariani nuk i afrohet stilit perëndimor të përpunimit dhe të paraqitjes së materialit. Ai vuante kur shkruante sepse ishte shumë kërkues ndaj vetes; që nga mbledhja e materialeve, përpunimit të tyre, bukurshkrimit, thellësisë së mendimit, citimit korrekt të autorëve. Shkurt do thosha që ai ishte mjeshtër i shkrimit akademik.
Kur unë përgatita disertacionin e mbajta një vit pezull, sepse kisha shumë ndrojtje ta mbroja para Arianit. Pasi qendra e punës më caktoi afat të prerë për ta dorëzuar u detyrova t’ia jepja Arianit për të bërë recencën. E ndjeva veten ngushtë por ai ma lehtësoi punën. Çfarë pret tha; bëje që të na hapësh rrugën dhe ne të tjerëve. Ti s’do vetë i thashë unë se nuk e ke problem. Jo më tha; e kam se duhet të grumbulloj rastet, dua të analizoj, të ballafaqoj me literaturën, do bëj atë e do bëj këtë dhe i kërkoi aq shumë vetes sa e la të bënte pak kohë para ndarjes nga jeta; por të përkryer.
Kaluan 3 muaj dhe nuk po ma kthente materialin. Mbase nuk ka kohë ta lexojë budallallëqet e mija thosha me vete. Por kur e mora më habiti. Kishte lexuar çdo germë, fjalë, rresht e faqe. Kishte bërë shënime, korrektime, sugjerime shkencore, çfarë të hiqja e çfarë të shtoja, kishte kontrolluar referencat shkencore e kështu me radhë. Aq imtësisht e kish punuar saqë unë nuk e quajta recensent por bashkëpunëtor dhe për këtë i jam mirënjohës për jetë.
Ariani të pyeste, të dëgjonte e të besonte pavarësisht se qëndronte më lart se ne. Nuk të hynte kurrë në të drejtën tënde. Ishte i ndjeshëm për çdo gjë. Mua më rritej respekti ndaj Arianit kur ai më mbështeste dhe kontribuonte në forcimin e autoritetit tim në rrethin mjekësor. Qëllonte që kirurgët e rretheve të sëmurët që kisha operuar unë për të përfituar KEMP-in apo çdo hall tjetër i orientonin me emër tek dr. Ariani. Në të gjitha rastet, ai e kthente recetën nga pas dhe shënonte: rasti është operuar tek dr. Agimi prandaj drejtohuni për konsultë tek ai. Nuk e keni idenë sa krenar ndihesha ndërkohë që respekti për Arianin rritej.
Kur fillova të organizoja repartin e neurokirurgjisë ai prapë ishte me mua, por me një ndryshim tani ai vinte në SPU dhe operonim bashkë sidomos tumoret e trurit dhe ndërhyrjet në kolonën vertebrale. Kur përgatiti disertacionin ai përfshiu në studim dhe rastet e tumoreve që kishim operuar në SPU.
Një tjetër rast që nuk e harroj lidhe me planifikimin që kish bërë Ariani për të operuar kunatin e dr. Sytki Bushatit i cili vuante nga hernia diskale. Ditën e operacionit e kërkuan urgjentisht në Ministri. Takoi doktor Bushatin dhe i tha që ai nuk do jem në sallë për arsye objektive. Kunatin do ta operoje dr. Agimi. Ja tha ai e kam sjellë për ty. Edhe vetë ta kisha atë hernie tek Agimi do e operoja. Ti bëj si të duash tha dhe zbriti me vrap shkallët. Dr. Bushati vendosi; futu dhe bëje tha. Qëlloi një hernie diskale migrante, operacion të cilin e përfundova shpejt dhe sapo përfundova dola të takoja familjarët. Të nesërmen doktori kërkoi falje se kunati po e priste në këmbë tek dera, ndërsa Ariani ju përgjigj që falje kërkoi doktor Agimit, jo mua se ai e bëri operacionin. Me Sytkiun u bëmë miq të mirë dhe mbetëm të tillë deri sa ai u nda nga jeta.
Prania e Arianit në operacionet që kryenim në SPU më ndihmoi shumë të zgjeroja gamën e ndërhyrjeve kirurgjikale. Operonim tumore në gjithë pjesët e trurit, për malformacione vazale dhe ato për fiksim të frakturave të kolonës. Më kujtohet kur diskutonim për operimin e një gruaje dropullite me emrin Stomata në luksacion në C6 – C7. Donim ta fiksonim me pllaka në proceset artikulare të cilat i kish sjellë nga Franca kur ishte për specializim dhe teknikën e njihte në mënyrë të shkëlqyer. Pas 3 – 4 orëve përpjekje nuk arritëm dot ta riparonim (drejtimin e kolonës duke evituar zhvendosjen). Gimi më tha nga lart nuk arrihet. Kërko profesor Panajot Bogën dhe pas 1 jave rioperoheni bashkë me fiksim posterior. Kështu tha dhe kështu u bë. Pas një jave profesor Boga e kreu operacionin me sukses dhe Stomata u ngrit në këmbë dhe lëvizte normal pa asnjë vështirësi. Kjo tregon se Ariani vendoste profesionin mbi egon e tij, duke mos dëmtuar pacientin për asnjë arsye.
Ariani ishte njeri shumë i mirë, por në atë kohë disa gjëra do t’i bëje siç të thoshin. Një ditë rreth orës 11 më thanë se doktor Ariani po të pret poshtë tek lulishtja përballë hyrjes kryesore të spitalit. Dola e takova dhe mu duk shumë i mërzitur. Çfarë ke i thashë? Më vret ndërgjegjja tha që nuk arrita ta mbaj doktor Adrianin në Spital, të cilin kolektivi “vendosi” të propozonte transferimin e tij në Fierzë. Me demek për diçka që kish folur në favor të vjehrrit të tij, që ishte mik me Feçor Shehun. Nuk e meriton Adriani tha këtë masë absurde. Mos u mërzit i thashë se për ato punë nuk na pyesin neve, i vendosin vetë ata lart, pavarësisht se gështenjat duan që t’i nxjerrin me duart e të tjerëve. Ma thua seriozisht tha? Po i thashë dhe kur të takoj Adrianin do ja shpjegoj qëndrimin tënd. Pas përpjekjeve të bëra vendimi u anulua dhe Adriani u transferua si neurokirurg në Spitalin e Shkodrës, ndërkohë që pas disa vitesh duke ju shërbyer me përkushtim shkodranëve të mirë ai ju bashkua përsëri skuadrës dhe u mirëprit krahë hapur nga kolegët e Neurokirurgjisë në Spitalin e Tiranës.
Ariani operonte tumoret e trurit pavarësisht vendndodhjes së tyre por ai nuk linte pas dore dhe diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive vaskulare në tru. Vlen të përmendet operacioni i parë i një aneurizmi të madh në arterien komunikante anteriore tek e sëmura Hane Perllaku nga Kukësi, në të cilën asistuam dhe unë dhe doktor Xhelal Kurti. Për kohën kjo ndërhyrje u vlerësua si arritje e veçantë dhe u pasqyrua edhe në revistën Shkenca dhe Jeta, së bashku me një foto të ekipit.
Vendimi më i vështirë i tij qe ai për mbrojtjen e disertacionit. Kjo jo për faktin se nuk kishte material apo aftësi, por sepse ai ishte shumë kërkues ndaj vetes, mbase perfeksionist do ishte fjala që i përshtatet më shumë. Më në fund pasi krijoi bindjen e plotë se materiali që kishte përgatitur ishte nivelin e kërkuar, ai na prezantoi një disertacion të shkëlqyer një case study i jashtëzakonshëm mbi tumoret e trurit në Shqipëri, punim i ciki ndodhet në Bibliotekën Kombëtare dhe në atë të Fakultetit të Mjekësisë.
Ariani ishte njeri që donte punën, familjen dhe jetën. Ai fishkëllente bukur melodi që të çlodhnin; respektonte gjithë personelin dhe nuk ofendonte asnjeri. I pëlqente kafja dhe banakieri i spitalit ja qante; e gjerbte ngadalë dhe me muhabet rreth punës. në sebepe kur mblidheshim pinte 1 – 2 gota verë të kuqe dhe e shijonte. Kish një të metë: pinte shumë cigare.
Kur e ndjeu veten të sëmurë ishim për drekë tek Hotel Diplomat, e shtruar për nder të dr. Cophignon i cili kishte ardhur në Shqipëri me ftesë të dr. Petrelës. Biseda zhvillohej në frëngjisht, por Ariani dukej që nuk ishte i interesuar pasi nuk ishte aktiv në bisedë. Na përkthe ndonjë gjë i thashë, ti e di që unë s’kuptoj frëngjisht. Gimi do ta bëja vetë më tha por e ndjej veten shumë të lodhur, nuk kam oreks, kam rrëqethje dhe si duroj dot zhurmat. Megjithatë diçka më ndihmoi. Faleminderit i thashë dhe të shkuara. Brenda pak ditësh diagnoza u bë dhe ai u dërgua në Paris. Megjithë kujdesin që u tregua aty doktori u kthye i sëmurë por tepër kurajoz. Mënyra si u përball me sëmundjen qe një tjetër mësim për mua. Edhe pse e dinte me detaje çdo gjë rreth sëmundjes së tij ai asnjëherë nuk u lëshua, sidomos ndaj të atit, Silvës dhe fëmijëve.
Çdo 2 – 3 ditë i bëja vizita në shtëpi. Më zbulonte barkun dhe më thoshte asciti, melenat etj.. E pyesja çfarë të të sjell? Vërini mend punës sidomos tani që po ndërtohet godina e re e Neurokirurgjisë, reanimacioni i së cilës mban emrin e tij. Profesor Petrela, në momentet kur gjendja e Arianit u rëndua shumë, e shtroi në spital. Ai organizoi një shërbim të jashtëzakonshëm 24 orë çdo ditë. I gjithë stafi i mjekëve dhe infermierëve treguan një kujdes të veçantë, duke u munduar t’i lehtësonin dhimbjet.
Prof. Dr. Arian Xhumari u nda nga jeta ne veren e vitit 1996, ne moshen 55 vjecare. Djali i tij, Arturi, vazhdoi punen e babait, realizoi te gjithe endrrat e tij dhe vete ka fituar titullin “Profesor”, shef i Klinikes se Neurokirurgjise, QSU “Nene Tereza”, autor i shume punimeve ne konferenca kombetare e nderkombetare te Neurokirurgjise duke gezuar respektin e stafit qe drejton dhe te neurokirurgeve ne te gjithe boten.
Me respekt
I perjetshem kujtimi i tij
BalkanWeb