Një 23-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Hekuran Cumani, është gjetur i pajetë në një pellg gjaku në parkingun e Universitetit të Matematikës në Perugia, Itali. Dyshohet se i riu është viktimë e një sulmi fatal me thikë, ndërsa motivet dhe rrethanat e ngjarjes mbeten ende nën hetim.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 2 të mëngjesit, në parkingun përballë fakulteteve të Ekonomisë dhe Matematikës, pranë mensës së universitetit. Ky parking është i hapur dhe falas gjatë natës, nga ora 19:00 deri në 07:00, dhe përdoret shpesh si pikë hyrëse për në qendrën historike të qytetit apo për mbrëmje në klubet lokale.
Sipas të dhënave paraprake, Cumani kishte ardhur në Perugia bashkë me një grup miqsh nga Fabriano. Pas ndalimit në disa bare, ata kishin qëndruar në “100Dieci”, një lokal i frekuentuar nga studentët e universitetit, që ndodhet pranë vendit ku ndodhi sulmi fatal.
Dëshmitarët raportojnë se incidenti ndodhi gjatë një sherri mes dy grupeve të të rinjve. Hetimet e policisë janë përqendruar në marrjen e dëshmive dhe analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë, veçanërisht atyre që monitorojnë hyrjen e parkingut.
BalkanWeb