Policia teksa heton vrasjen e dyfishtë në Greqi, ku shënjestër e një sulmi me armë ishte pronari grek dhe punonjësi i tij shqiptar, dëshmitë e të arrestuarve janë kontradiktore. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 5 tetorit në kampingun “Ammos”, në zonën e Foinikounta të Mesenisë. Në Gjykatën e Kalamatës po dëshmon njëri prej të akuzuarve, me origjinë greko-britanike, i cili dyshohet si autori kryesor i krimit. Ndërkohë, bashkëmoshatari i tij, që u dorëzua disa ditë pas ngjarjes, ka pranuar përfshirjen e tij dhe paraqitet si bashkëpunëtor në krim.
Gjatë arrestimit të tij në Athinë, i riu greko-britanik kishte refuzuar të dëshmonte në fazën paraprake të hetimeve, duke deklaruar përmes avokatit të tij se nuk kishte hyrë fare në kamping atë natë fatale. Megjithatë, pozita e tij është rënduar ndjeshëm, pasi është përmendur si autor nga bashkëpunëtori i tij, i cili ka pohuar se nuk ka qenë ai që ka qëlluar me armë. Më tej, ai është identifikuar pa asnjë hezitim nga nipi i pronarit të kampingut, i vetmi dëshmitar okular i vrasjes së dyfishtë, në një sallë të veçantë në selinë qendrore të policisë (GADA). Sipas burimeve, në rrobat që dyshohet se kishte veshur i akuzuari natën e krimit, të cilat janë sekuestruar në banesën e tij, nuk janë gjetur gjurmë baruti. Ndërkohë, telefoni i tij celular po ekzaminohet nga autoritetet, pasi pritet të hedhë dritë mbi lëvizjet e tij gjatë natës së ngjarjes.
Një tjetër pikë kyçe në hetim është dëshmia e bashkëpunëtorit 22-vjeçar, i cili pretendon se pas vrasjes së dyfishtë ka notuar për 7-8 orë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe më pas ka ecur deri në Kalamata, ku është lokalizuar në stacionin e autobusëve KTEL pasditen e ditës tjetër. Dëshmia e tij po verifikohet për mospërputhje dhe po krahasohet me pamje kamerash dhe dëshmi të tjera.
Në qendër të hetimeve ndodhet edhe një makinë e bardhë, e cila sipas dëshmive është parë të qarkullojë pranë kampingut si natën e ngjarjes, ashtu edhe një muaj më herët, më 7 shtator, kur dyshohet se ka pasur një përpjekje të dështuar për vrasje.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se autoritetet janë pranë identifikimit të drejtuesit të makinës, me dëshmitë që flasin për një grua, gjë që mund të ndryshojë tërësisht rrjedhën e çështjes.
BalkanWeb