Shumë prej lojtarëve të Kukësit pritet të mos jenë pjesë e skuadrës për edicionin e ardhshëm dhe njëri prej tyre në prag divorci është pikërisht mbrojtësi i krahut të majtë, Emiljano Musta.
Lojtari që nisi sezonin me Partizanin dhe u rikthye te verilindorët në merkaton e janarit, me shumë gjasa do ta mbyllë më shpejt nga sa pritej aventurën me këtë skuadër.
Në dy ndeshjet e fundit, elbasanasi nuk është grumbulluar nga trajneri Diego Longo, pikërisht në takimet me Vllazninë dhe Dinamon.
Nga klubi nuk raportohet për ndonjë dëmtim të mbrojtësit dhe arsyet e tij janë teknike, me italianin që nuk e sheh më si të domosdoshëm për skuadrën e tij, paçka se ka bërë elozhe pa fund në momentin që Musta u afrua te Kukësi.
Lojtari pritet të mungojë edhe ndaj Skënderbeut këtë të shtunë, duke bërë që rrugët të ndahen përfundimisht.
“Panorama Sport”mëson se Musta nuk është parë as në stërvitjet e ditëve të fundit.
Në një situatë të tillë, duket se palët janë drejt zgjidhjes me konsensus të marrëveshjes.
30-vjeçari mund të cilësohet si largimi i radhës nga verilindorët pa u mbyllur sezoni, pasi më herët ndërpreu bashkëpunimin edhe mesfushori Ardit Hila.
PRAPASKENAT
Mungesa e Mustës në dy ndeshjet e fundit nuk ka kaluar pa u vënë re, sepse bëhet fjalë për një lojtar kyç në ekipin e Kukësit, i cili erdhi në kampin verilindor për të qenë titullar.
Mirëpo, ka mjaftuar vetëm një postim i Ardit Hilës në rrjetet sociale, së bashku me Mustën, me këtë të fundit që e ka rishpërndarë, për të sjellë një nevrikosje të Longos, i cili e ka marrë si provokim ndaj tij.
Që nga ajo kohë marrëdhëniet u ftohën dhe italiani nuk ka preferuar as ta mbajë në pankinë Mustën, por e ka dërguar në tribunë.
Gjatë këtyre ndeshjeve, elbasanasi është preferuar shpesh në rolin e sulmuesit të krahut, duke mbuluar boshllëqet që trajneri kishte në organikë në fazën ofensive.
Megjithatë, ndeshja me Vllazninë duket se i vuri vulën edhe largimit dhe tani mbetet vetëm konfirmimi nga palët për ndërprerjen e bashkëpunimit, i cili zgjati vetëm pesë muaj.
Për të përforcuar këtë gjë, Musta mungoi edhe në përballjen ndaj Dinamos, duke konfirmuar një krisje mes palëve.
30-vjeçari është pëlqyer shumë nga Longo në fillim, pasi mund të bënte disa role, por me kalimin e kohës gjërat ndryshuan.
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit

Loading…