Me 3 fitore në 3 ndeshje, Real Madrid vijon i qetë rrugëtimin në Champions, “thyen” edhe Juven duke shkuar në “El Clasico” me moralin e lartë. “Zonja e Vjetër” e ka të vështirë të dalë nga kriza e madhe që i ka mbërthyer, kjo ishte ndeshja e 7-të radhazi që nuk fitojnë. Me 2 pikë në 3 ndeshje, Juve e sheh vetëm përkohësisht në vendin e 25-të, jashtë Champions.
Në “Bernabeu”, ekipi i Tudor vuajti shumë presionin e Vinicius jr dhe pjesës tjetër të fazës ofensive të Realit në fraksionin e parë, por iu falën një super Di Gregorio që bëri gjithçka për të mbajtur portën të paprekur. Me fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 49-të, Vlahovic u shkëput shpejt, por në fund Courtois me këmbë ndali sulmuesin serb.
Momenti më përcaktues i këtij takimi erdhi në minutën e 57-të ku Vinicius bëri lëmsh të gjithë prapavijën e Juves, por goditja e tij u përplas fillimisht në shtyllën pingule duke u kthyer në një asist për Bellingham, me mesfushorin anglez që e kishte të lehtë të shtynte topin në portën e boshatisur. Reali nuk e uli ritmin në kërkim të golit të qetësisë, por Di Gregorio ngriti një “mur” të pakalueshëm. Në fund, Juve kishte shansin të shmangte këtë humbje, por Courtois ndali goditjen e fuqishme të Kostic.

Pavarësisht kësaj humbje, në Itali nuk e bëjnë dramë: “Juve e gjallë, Vlahovic shpërdoron, Bellingham nuk fal”, shkruan Corriere dello Sport.
I kënaqur më atë që dha ekipi u shfaq edhe Tudor, por sigurisht ndjen keqardhje për faktin që dolën “duar bosh” nga “Bernabeu”: “Kjo ndeshje na lë një shije të hidhur për faktin që nuk morën një pikë. Të paktën një gol e meritonim, më vjen keq për djemtë, por kjo është rruga e duhur”, u shpreh Tudor”, i cili përpara ndeshjes u konfirmua nga Chiellini në krye të Juves.
()