Dinamo do hakmarrje ndaj Teutës, humbja dhe polemikat janë të freskëta

Dinamo do të luajë të hënën kundër Teutës në kuadër të javës së 10 të Superiores. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja, po kalon një moment të mirë, teksa Teuta pësoi humbjen e parë këtë sezon vetëm pak ditë më parë, duke u mundur nga Egnatia. Në sfidën e të hënës, e planifikuar të luhet në “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 17:00, dy skuadrat synojnë që të marrin fitore për të nisur mirë fazën e dytë.

NDESHJA E PARË- Teuta-Dinamo duhej të ishte sfida debutuese për Superioren, mirëpo angazhimi i Dinamos në Europë dhe grumbullimi i lojtarëve me Kombëtaren, bënë që ndeshja të shtyhej dy herë. Në sfidën e fazës së parë, Teuta arriti të fitonte me rezultatin 1-0, duke thelluar krizën që pat kapur skuadrën e Dinamos. Të besuarit e Dajës, morën humbjen e dytë radhazi në kampionat, humbje kjo që u pasua me një tjetër barazim ndaj Bylisit dhe që solli jo pak tension te Dinamo. Sfida e parë, nuk kaloi pa polemika dhe ishte trajneri Ilir Daja ai që shfaqi pakënaqësi për mënyrën se si u zhvillua ndeshja, duke pretenduar se kishte shumë pak minuta efektive dhe se gjyqtari Jorgji nuk kishte lejuar që të luhej një lojë me ritëm.

GJENDJA E SKUADRËS- Dinamo do të duhet të bëjë pa shërbimet e Naser Alijit i cili ende nuk e ka kaluar dëmtimin që ka pësuar ditë më parë. Mbrojtësi gjendet aktualisht pranë familjes së tij, pasi vetëm 2 ditë më parë, nëna e tij u nda nga jeta dhe klubi i ka dhënë leje që të bashkohet me familjen në këtë moment të vështirë. Pjesa tjetër e skuadrës ka qenë e plotë, ndërkohë që i vetmi që rrezikon për shkak të kartonëve, është Gudiabi. Mesfushori ka arritur në kuotën e 3 kartonëve dhe nëse do të ndëshkohet ndaj Teutës, ai do të mungojë për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Vllaznisë në Shkodër.

FAZA E PARË- Mesjavën e shkuar, është mbyllur faza e parë e Superiores, ku të dyja ekipet kanë treguar se janë pretendentë për të fituar titullin kampion këtë sezon. Sa i përket klasifikimit, Dinamo renditet në vendin e katërt, me pikë të barabarta me Egnatian e vendit të tretë, të dyja në kuotën e 17 pikëve. Sakaq, bregdetarët kanë vetëm 3 pikë më pak dhe renditen në vendin e pestë ndërkohë që Dinamo ka pësuar dy humbje, kundrejt 1 humbjeje që ka pësuar Teuta.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×