
Një mungesë e sigurt për Vllazninë në ndeshjen e radhës ndaj Partizanit do të jetë Erdenis Gurishta. Mbrojtësi ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe kësisoj nuk do të jetë pjesë e takimit ndaj Partizanit këtë fundjavë. Kjo, pasi ndëshkimi me karton në duelin e fundit ndaj Dinamos, nuk ia lejon 30-vjeçarit të japë kontributin e tij në një takim të tillë. Ku më parë numri “2” ishte ndëshkuar edhe në ndeshjet ndaj Flamurtarit, Tiranës dhe Egnatias.
Në këtë mënyrë duke plotësuar numrin katër të ndëshkimeve me të verdhë, që automatikisht sipas rregullores bëjnë të jesh i pezulluar për ndeshjen e radhës. E tashmë te Vllaznia, Martini mendojë për zëvendësuesin e shkodranit në formacion për duelin shumë të rëndësishëm ndaj “demave”. Prova janë bërë me Krymin në prapavijë, me mesfushorin i cili ka luajtur edhe më parë në rolin e mbrojtësit. Por, një vendosje e Krymit në mbrojtje do të varet vetëm nga forma që do të shfaqin Dros dhe Qato.
Me dy mesfushorët që janë kthyer së fundmi nga dëmtimet dhe ende nuk janë në 100% të formës së tyre. Megjithatë opsionet nuk mungojnë për zëvendësuesin e Gurishtës, pasi në “pole” pret edhe Pusi, që është aktivizuar këtë sezon edhe si titullar në rastet kur skuadra ka pasur mangësi. E një “shans” po ashtu mund të ketë edhe për Çelikoviçin apo edhe Salën, me këtë të fundit që mund të aktivizohet në mbrojtje, por edhe në mesfushë në rast se do të jetë Krymi futbollisti që do të luajë në mbrojtjen me 3 që aplikon Martini. Gjithsesi, çdo gjë do të “kristalizohet” me kalimin e ditëve për formacionin që do të hedhë në fushë Martini ditën e diel. Ku momentalisht dilemat ekzistojnë për teknikun 50-vjeçar, që duhet të bëjë “llogaritë” me formën fizike të disa lojtarëve.
and then