FOTO/ Situata me përmbytjet në Qarkun Lezhë, probleme në disa zona nga reshjet e dendura

Reshjet e dendura të ditëve të fundit vijojnë të shkaktojnë probleme në disa zona të Qarkut Lezhë, ndonëse gjatë paradites intensiteti i shiut është ulur. Strukturat vendore dhe ato qendrore janë angazhuar në menaxhimin e situatës dhe ndërhyrjet në terren vijojnë pa ndërprerje.

Bashkia Lezhë

Në Shëngjin vazhdojnë operacionet për largimin e ujit nga oborret e banesave dhe katet e para të disa ndërtesave, ku janë angazhuar 10 efektivë të Forcave të Armatosura, mjete të bashkisë, agregatë pompimi dhe forcat e policisë bashkiake.
Në lagjen “Nënë Tereza”, pranë nënstacionit elektrik, ndërhyrjet po kryhen me fadromë dhe agregatë për të larguar ujin nga oborri i nënstacionit.

Punime për pastrimin e rrugëve dhe zhbllokimin e kanaleve po kryhen në disa njësi administrative:

  • Blinisht: 1 fadromë po pastron shtratin e përroit pranë urës së Krajënit.
  • Kallmet: 2 fadroma janë në punë në aksin Lezhë–Vau Dejës.
  • Kolsh: Ndërhyrje me eskavator në kanalin e dytë.

Bashkia Kurbin

Reshjet vijojnë me intensitet mesatar deri të lartë. Që prej orës 07:00 ka nisur operacioni për pastrimin dhe mbushjen e segmenteve të rrugëve të dëmtuara nga lumi në Milot, në zbatim të urdhrave të Ministrit të Mbrojtjes dhe Prefektit. Në terren ndodhen rreth 30 forca, përfshirë pjesëtarë të FA, kryepleq dhe banorë të zonës. Po kërkohet zgjidhje për kalimin e mjeteve të rënda përtej urës së dëmtuar.

Në Mamurras, ndërhyrjet kanë vijuar në Gjorm, Sanxhak dhe Drojë, me një përmirësim të dukshëm të situatës krahasuar me ditën e djeshme. Prezenca e ujit është tërhequr në shumicën e zonave, ndërsa vetëm fusha depresive e Gjormit mbetet problematike. Aksi Shpërdhet vijon të jetë i vështirë, por pjesa tjetër e rrugëve është e kalueshme. Nuk është raportuar nevojë për evakuime.

Bashkia Mirditë

Reshjet me intensitet mesatar dhe dalja e lumenjve e përrenjve malorë nga shtrati kanë sjellë një sërë dëmtimesh:

  • Në Jezull është dëmtuar shpatulla e një ure të tipit Bejli, duke e nxjerrë atë jashtë funksionit.
  • Në Kodër-Rrëshen, një banesë rrezikohet për shkak të rrëshqitjes së tokës.
  • Aksi Rrëshen–Bukmirë paraqet prezencë gurësh dhe gërryerje.
  • Dëmtime rrugësh raportohen në Orosh, Selitë, Kthellë, Kaçinar dhe Fan, ku në disa zona janë dëmtuar edhe ura pasarela.
    Në disa fshatra, përfshirë Shëngjin dhe Zall Xhuxhe, nxënësit nuk kanë mundur të ndjekin mësimin.

Sipas informacioneve zyrtare, HEC-i i Qafmollës nuk pritet të kryejë shkarkime gjatë ditës së sotme.

Situata e energjisë elektrike

  • Në Bashkinë Lezhë, të gjithë fiderat janë në punë, përveç atij të hidrovorit të Rrilës ku ka një defekt.
  • Në Mirditë, furnizimi është pjesërisht i qëndrueshëm; në zonën Xhuxhë mungon energjia për shkak të dy shtyllave të thyera.
  • Në Kurbin janë raportuar defekte në Skuraj, Gallatë, Shpërdhet, Gjorëm dhe Zhejë. Ekipet janë në terren.

Niveli i ujit në lumin Drojë ka rënë dhe është futur në shtrat. Mjetet e DUK vijojnë punën në Drojë, Tale dhe Balldre. Hidrovoret po funksionojnë me kapacitet të plotë.
Gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë rreth 60 mm reshje. Kanale dhe argjinatura të kontrolluara nuk paraqesin probleme. Lumenjtë Drin dhe Mat janë nën kuotat e rrezikut.

Përmbytjet në tokat bujqësore mbeten të përhapura për shkak të reshjeve të pandërprera:

  • Në Kurbin, sipërfaqja e përmbytur llogaritet rreth 300 ha, pasi uji është tërhequr në disa zona.
  • Në Milot, përmbytjet prekin toka, rrugë dhe ura në Skuraj dhe Vinjoll.
  • Në Bashkinë Lezhë janë nën ujë rreth 200 ha në Balldre/Torovicë, 85 ha në Zejmen dhe 65 ha në Shënkoll.
  • Probleme paraqiten në Tale 2, Barbullojë, Tresh dhe Grykë Lumi.
  • Në Pllanë, prurjet e përrenjve kanë shkaktuar vështirësi.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×