Triumfi ndaj Polonisë, Shqipëria i ka “heronjtë”. Llogaritë e kuqezinjve për transfertë

Pasditen e së enjtes, në Zyrih të Zvicrës u hodh shorti për “Play Off”-in e Kupës së Botës, aty ku kuqezinjtë do të përballen me Poloninë në gjysmëfinale. Nëse Shqipëria kalon, në finale do të ketë fituesin e çiftit Ukrainë- Suedi. Natyrisht që për Shqipërinë kjo është një ndeshje shumë delikate dhe e vështirë, vështirësi që rritet edhe më shumë për vetë faktin se kuqezinjtë do të luajnë në Varshavë, për vetë faktin se renditeshin në vazon e tretë, atë të jo-favoritëve.

Por, megjithatë Shqipëria di si fitohet ndaj Polonisë dhe përtej historisë që në 15 ndeshje ka humbur 10 prej tyre, në sfidën e fundit të zhvilluar në Tiranë, skuadra jonë fitoi me rezultatin 2- 0. Kjo fitore i dha një ndihmë të madhe kuqezinjve për të siguruar kualifikimin në Europian. Sakaq, lojtarët që kanë qenë të gatshëm dhe që kanë ndihmuar ekipin tonë për të marrë një fitore në Tiranë, janë ende pjesë e skuadrës sonë, ndërkohë që disa të tjerë nuk janë grumbulluar. Asani dhe Daku ishin vendimtarë me golat e shënuar, lojtarë të cilët në këto kualifikuese nuk morën shumë minuta por ishin pjesë e skuadrës. Më poshtë, është edhe skuadra me të cilën kuqezinjtë janë përballur në sfidën e fundit të luajtur në “Air Albania”.

FORMACIONI- Në shtatorin e vitit 2023, Shqipëria kishte një nga ndeshjet më të vështira dhe njëkohësisht më të rëndësishme kualifikuese për në Europian ku do të përballej me Poloninë. Kuqezinjtë vinin në këtë ndeshje nga një barazim shumë i rëndësishëm në transfertë kundër Republikës Çeke, barazim ky që nuk e lejoi Çekinë që të shkëputej nga skuadra jonë. Në Tiranë, Shqipëria bëri mrekullinë duke e mundur Poloninë me rezultatin 2-0, ku fillimisht ishte Jasir Asani ai që shënoi një kryevepër nga distanca e më pas Mirlind Daku me “dhunë” arriti të shënonte golin e dytë që i dha qetësi Shqipërisë.

Në atë sfidë, ishte titullar Cikalleshi, i vetmi lojtar nga formacioni titullar që sot nuk është më pjesë e skuadrës pasi vendosi të tërhiqej nga Kombëtarja. Në portë, luante Strakosha që bënte një paraqitje të mirë, ndërsa mbrojtja i besohej Hysajt në të djathtë, e Mitajt nga e majta. Në qendër, Ismajli dhe Gjimshiti plotësuan mbylljen hermetike. Në mesfushë, ishin Ramadani, Bajrami, Asllani e Asani që ndihmonin dyshen e sulmit të përbërë nga Cikalleshi e Uzuni. Asani ishte autor goli teksa Daku aktivizohej në të dytën duke zënë vendin e Cikalleshit dhe vetëm pak sekonda pasi hyri në fushë, shënoi golin e dytë për skuadrën tonë.

POLONIA- Nga ana tjetër, Polonia ishte pa mungesa dhe në fushë zbritën yjet e skuadrës. Kështu, porta iu besua Sheznit që asokohe aktivizohej me Juventusin. Në mesfushën me katër, ishin Berezinski në të djathtë e Kivior në të majtë. Në qendër, u vendosën Bednarek dhe Kedziora. Në mesfushë, Polonia kishte Kash, Kryshoviak, Zielinskin e Kaminskin, ndërkohë që para tyre aktivizohej Zymanski që ndihmonte Levandovskin që në fakt, u mbyll mjaft mirë nga Kombëtarja jonë.

Screenshot 2025-11-22 220500



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×