
Në emisionin “Në Shënjestër” , me gazetare Klodiana Lalën, u publikuan komunikimet mes Ballukut dhe vartësit të saj Evis Berberi, nxjerrë nga dosja hetimore e SPAK ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila shihet se si orienton ish-kreun e ARRSH të vërë kontakte me kompaninë turke të paracaktuar si fituese e tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Nga dosja hetimore, thuhet se Berberi, me cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, është ngarkuar nga Balluku që të nënshkruajë kontratën e prokurimit publik ‘Ndërtimi i tunelit të Llogarasë’, në seksionin rrugor Orikum-Himarë pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), në emër dhe për llogari të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Turqit të cilët mezi po priten të vijnë nga ministrja e cila është e paduruar deri në mbërritjen e tyre.
Belinda Balluku mban kontakte të vazhdueshme me Evis Berberin Që edhe ky nga ana e tij e mban të informuar për çdo të re në lidhje me turqit.
“Nga akti i ekspertimit të aparatit celular ‘Blackberry’, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, kanë rezultuar komunikime në aplikacionin ‘Signal Private Messenger’ ndërmjet shtetasve Belinda Balluku dhe Evis Berberi, si më poshtë
Më datë 2 Nëntor 2021, Evis Berberi i dërgon Belinda Balluku mesazhin:
‘Kur e ke për mbarë të takosh plakun e ‘ASL’ që t’i them të vi se ka të ëmën në intubim.
Ti them të enjten?’
Më datën 5 Nëntor 2021, Evis Berberi i dërgon Belinda Balluku mesazhin: ‘Turqit vijnë të hënën dhe ikin të martën dhe janë dakort me draft kontratën.’
Belinda Balluku: ‘Suuuuper, Kur do ta bëjnë kompaninë.’
Evis Berberi:‘Po pret letrat e ASL dhe do e regjistroj. Po tha vendoseni si kusht në kontratë që do paguhen në kompaninë që do hapet dhe regjistrohet në Shqiperi që ta firmosë te henën.’
Belinda Balluku: ‘Sigurisht.’
Turqit që sipas gjetjeve të SPAK, e regjistruan kompaninë e tyre pikërisht në datat kur zhvillohen edhe bisedat midis ministres Balluku dhe kreut të ARRSH-së, Evis Berberi.
Çka nuk lë asnjë mëdyshje që ata janë mentorët e të gjithë skemës së grabitjes së Tunelit të Llogarasë
Gjë që konstatohet edhe në vazhdim në bisedat midis tyre ku Evis Berberi bën gjithçka sa i thotë Belinda Balluku.
Pjesë nga dokumentari
Në lidhje me bisedat e zhvilluara nga Belinda Balluku dhe Evis Berberi, nga kqyrja e bërë në faqen ëeb të Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezulton se në datën 8 Nëntor 2021, është themeluar Operatori Ekonomik ‘Shoqëri e thjeshtë INTEKAR-ASL’.
Do të jenë pikërisht bisedat midis dyshes Balluku-Berberi, që hedhin dritë edhe për mënyrën se si u firmos kontrata me turqit.
Dosja Hetimore
Nga aktekspertimi i aparatit celular ‘Blackberry’, të sekuestruar Evis Berberi, kanë rezultuar komunikime në aplikacionin ‘Signal Private Messenger’ ndërmjet tij dhe Belinda Ballukut si më poshtë:
Më datë 6 Nëntor 2021, Evis Berberi i dërgon mesazh Belinda Ballukut.
‘Turqit vijnë të hënën në 8 të mëngjesit dhe ikin në 18.00 po të hënën. Kontratën ta firmosim në ARRSH? Në çfarë ore do që të vi plaku i ASL të të takoj?’
Më datë 8 Nëntor 2021, Evis Berberi i dërgon Belinda Ballukut mesazhin:
‘Turqit e lashë në 10 për kontratën, pastaj shkoj atje. Ok.’
Belinda Balluku: ‘Po, po, mbaro kontratën se është super e rëndësishme, më lajmëroni kur të mbyllet procesi. Bëni 5 foto, por mos i publikoni.‘
Këto biseda si edhe takimi që pason me plakun e ‘ASL’, që është pronari i njërës prej dy kompanive që fituan garën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, sipas SPAK janë dokumentuar edhe nëpërmjet sistemit TIMS.
Ku pikërisht më datë 8 Nëntor 2021, që përkon edhe me datën e firmosjes së kontratës në ARRSH, dy pronarët e kompanive respektive kanë hyrë dhe kanë dalë nga Shqipëria.
Në lidhje me bisedat e zhvilluara midis ministres Belinda Balluku dhe kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, nga kqyrja e sistemit TIMS rezulton se shtetasit turk Serkan Çam (pronar i shoqërisë fituese turke ‘Intekar Yapi’) dhe Abdulkadir Kart (pronar i shoqërisë fituese turke ‘ASL’) kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 8 Nëntor 2021, respektivisht në orën 09:19 dhe 09:17, dhe kanë dalë nga Shqipëria po në datën 8 Nëntor 2021, respektivisht në orën 15:26 dhe 15:25.
Kompani e cila nga viti në vit ka dalë me fitime të konsiderueshme.
Janë të gjithë këto gjetje që kanë çuar SPAK në dyshimin e arsyeshëm se Belinda Balluku në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, ka ndikuar drejtëpërdrejt në paracaktimin e fituesit të tenderit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë.
Duke e bërë këtë në bashkëpunim me vartësit e saj, siç është edhe rasti i Evis Berberit.
Ish-kreu i ARRSH sot në masën arrest me burg që nga viti 2024, i cili ka një rol kyç në të gjithë këtë aferë korruptive.
Dosja Hetimore
Bazuar në aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasja Belinda Balluku, duke qenë në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ndonëse kishte deleguar formalisht përgjegjësitë e titullarit të autoritetit kontraktor tek Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetasja Viola Haxhademi, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e prokurimit publik me objekt ‘Ndërtimi i tunelit të Llogarasë’, në fazën përgatitore, gjatë zhvillimit të procedurës, në fazën e dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.
Kjo shtetase në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë ofertues.
Sikurse emisioni ‘Në shënjestër’ ka zbardhur më herët SPAK ka marrë të pandehur Evis Berberin e Gentian Gjylin por edhe vartës të tjerë të saj edhe për paracaktimin e tenderit për mbikqyrjen e punimeve të tunelit të Llogarasë.
Ndërsa ka nën hetim të tjerë tendera miliona euro të cilët dyshohet se janë të paracaktuar, çka mund të rëndojnë edhe më shumë pozitën e Belinda Ballukut përballë ligjit.
and then