
Në letër, Pisa duhet të ishte një klient i letë për Inter, por ekipi zikaltër vuajti jo pak, ku u desh një super Lautaro në fraksionin e dytë për të dalë me 3 pikë. Pisa jo vetëm që nuk qëndroi pasive në këtë sfidë, por kërcënuan në më shumë se një herë portën e Inter me disa zbritje të shpejta në sulm.
Në fraksionin e dytë, Chivu ndërhyri në formacion duke hedhur në fushë edhe Pio Espositon, ishte pikërisht sulmuesi i talentuar që dhuroi një top të bukur për Martinez, me kapitenin që nuk fali në minutën e 69-të dhe me një goditje të fortë brenda në zonë stampoi topin në rrjetë. Goli i qetësisë erdhi në minutën e 83-të, ku sërish Lautaro, këtë herë i shërbyer nga Barella, realizoi golin e dytë për Inter, me zikaltërit që festojnë këtë fitore që i afron me vetëm 1 pikë me dy ekipet e kreut, Milan e Napoli.
Chivu shijon këtë trepikësh pasi në sytë e tij nuk ishte një ndeshje e lehtë: “Pisa nuk humbiste prej 6 ndeshjeve radhazi, nuk pësonin gol prej javësh, ndaj nuk ishte e lehtë. Zhvilluam një ndeshje të organizuar, u treguam të pjekur dhe të duruar, edhe pse në disa momente mund të bënim më mirë. Lautaro? Kur lojtar si ai vihen në diskutim, shpesh teprohet pasi kërkohet të bëhet lajm, por ne e dimë se sa i rëndësishëm është ai, se çfarë lojtari është, ai është një futbollist që vendos zemrën në fushë për skuadrën”, u shpreh Chivu.
Një fitore të rëndësishme në javën e 13-të të Serie A siguroi edhe Atalanta, me ekipin e Gjimshitit që triumfoi 2-0 përballë Fiorentinës. Ekipi vjollcë vijon të zhgënjejë në mënyrë të pabesueshme duke u renditur në vendin e parafundit me vetëm 6 pikë në 13 javë.
and then