Situata e sigurisë në vend/ Basha: Policia nuk e përballon dot e vetme krimin e organizuar! Nuri: Qytetarët kanë humbur besimin te institucioni

Në studion e News24, eksperti i sigurisë Faik Basha dhe juristi Franc Nuri analizuan situatën aktuale të sigurisë në vend dhe sfidat me të cilat përballet shteti në luftën ndaj krimit të organizuar.

Eksperti i sigurisë Faik Basha theksoi se policia nuk mund ta përballojë e vetme krimin e organizuar, sidomos kur bëhet fjalë për atentate profesionale si ato të regjistruara në Rinas apo Elbasan.

“Vetëm policia nuk e përballon dot krimin e organizuar. Në raste specifike ka shqetësime për cenimin e sigurisë. Në rastin e Rinasit apo të Elbasanit, një patrullë policie nuk do të mund të fitonte një betejë me atentatorët në të dy rastet,” u shpreh Basha.

Ai shtoi se pjesa më e madhe e aktivitetit të grupeve të krimit të organizuar shqiptar zhvillohet jashtë vendit, duke përfshirë Belgjikën, ku operojnë edhe struktura kriminale nga vende të tjera si Italia, Serbia, Turqia apo Rusia. Sipas tij, kjo nuk do të thotë se shtetet e Evropës Perëndimore po bien përballë krimit, por se lufta kundër tij është e vazhdueshme.

“Duhet të goditen fort nga institucionet dhe drejtësia të veprojë menjëherë,” nënvizoi Basha.

Nga ana tjetër, juristi Franc Nuri shprehu shqetësim për përsëritjen e ngjarjeve të rënda kriminale edhe në zona të konsideruara me siguri të lartë.

“Këto nuk janë raste të izoluara dhe është hera e disatë që ndodhin edhe në zona me siguri të lartë si Rinasi,” deklaroi ai.

Nuri theksoi se megjithëse në Shqipëri ka më pak vjedhje të vogla, vendi përballet me krime të rënda e të organizuara që tronditin opinionin publik. “Qytetarët e kanë humbur gradualisht besimin te policia e shtetit sepse ka rënë efikasiteti i luftës ndaj krimit,” u shpreh juristi.

Ai shtoi se bashkëpunimi i qytetarëve me autoritetet është dobësuar edhe për shkak të rasteve kur denoncimet janë dekonspiruar.

“Ka shumë raste kur pas denoncimit, këto denoncime janë bërë publike dhe i kanë shkuar palës tjetër,” paralajmëroi Nuri.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×