
Partizani është kthyer në rival të preferuar për Bylisin, që nga edicioni i kaluar. Si me asnjë kundërshtar tjetër në vitet e fundit, Partizani e shikon veten me katër humbje radhazi në përballjet direkte me Bylisin.
Bëhet fjalë për sfida që tregojnë dominim të ekipit që tani drejton Mirel Josa, dhe jo fitore të rastësishme. Pas sfidës me Dinamon, u vu re që Bylisi e kaloi menjëherë vëmendjen te takimi me Partizanin. Për këtë mund të thuhet se Bylisi është sërish gati për një përballje të rëndësishme për mbijetesën.
Pikët e grumbulluara me Partizanin ishin faktor i rëndësishëm, që Bylisi në siguronte mbijetesën në edicionin e kaluar. Fakt është se tashmë numëron tri fitore, po aq sa Partizani, dhe një prej tyre në 13 javët e para e regjistron me “demat”. Fitore bindëse me rezultatin 3 me 1 në stadiumin “Adush Muçaj”.
GOLAT- Nga 9 dhjetori i vitit të kaluar është tashmë një vit. Katër ndeshje në total ku Bylisi festoi nëntë gola të shënuar. Ndërkohë që “demat” e provuan katër herë shijen e golit. Partizani është vendosur në avantazh përgjatë dy sfidave, megjithatë mallakastriotët janë rikthyer me fitore. Mesatare e frikshme, që mund ta tregojë këtë takim si sfidën e golave për Superioren.
BARAZIMI- Partizani dhe Bylisi luajnë të mërkurën në përballjen që duket se garanton një fitues. Nga 6 shkurti i vitit 2021 numërohen 12 ndeshje të vlefshme për Superioren. Bëhet fjalë për tetë fitore që i përkasin Partizanit dhe katër të tjera miqve për sfidën e ardhshme. Asnjë barazim, plot 34 gola të shënuar në 12 ndeshje. Kështu tregohet një standard i pazakontë për Superioren mes dy skuadrave. Me vetëm 1 pikë më tepër se Bylisi i zonës së ftohtë, Partizani qëndron në garë për mbijetesën. Për këtë edhe ky takim është një nga më interesantet që premton java e 14-të e Superiores.
and then